Zyrës së Kryeministrit i ‘humb’ gjipi që ia kishte dhënë në shfrytëzim ish-kryetarit të Leposaviqit Zoran Todiq

Ndonëse ka më shumë se 6 muaj që ka dorëzuar mandatin për të qeverisur me Komunën e Leposaiviqit Zoran Todiq nuk e ka dorëzuar edhe gjipin të cilin Zyra e Kryeministrit ia kishte dhënë në shfrytëzim rreth dy vite më parë.

Marrëveshja e mirëkuptimit e datës 13 prill të vitit 2021 është shndërruar ‘në keqkuptim’ në mes të Zyrës së Kryeministrit dhe Komunës së Leposaviqit.

Vetura e tipit ‘Toyota Landcruiser Prado’ i ishte dhënë në shfrytëzim Komunës së Leposaviqit përkatësisht ish-kryetarit Zoran Todiq me zotimin se kur Zyra e Kryeministrit ta kërkoj kthimin e saj, ajo veturë të kthehet në oborrin e qeverisë.

Mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur, që nga 4 prilli, kërkesa e Zyrës së Kryeministrit për t’ia kthyer gjipin, ka hasur në vend të shurdhër.

KALLXO.com nga burimet e veta ka mësuar se vetura është marrë në shfrytëzim nga ish-kryetari, dhe ende nuk është kthyer, ani pse Todiq ka dhënë dorëheqje.

Marrëveshja e mirëkuptimit të cilën e ka siguruar KALLXO.com, parasheh që vetura duhet të kthehet në momentin që Zyra e Kryeministrit bën kërkesë për kthimin e saj.

“Në rastin kur ZKM-ja e sheh të arsyeshme se ka nevoje që ta ketë në shfrytëzim këtë automjet, Komuna e Leposaviqit do t`i kthej automjetin në gjendje të rregullt ZKM-së”- thuhet në pikën 5 të kësaj marrëveshje.

KALLXO.com ka kontaktuar Zyrën e Kryeministrit për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me veturën në fjalë, mirëpo ata kanë thënë që vetura që i është dhënë Komunës së Leposaviqit ka qenë me defekte.

“Ju njoftojmë se në funksion të bashkëpunimit në mes të institucioneve dhe me kërkesë të ish Drejtorit të Zyrës për Çështje të Komuniteteve Ivan Milojeviq, vetura i është dhënë në shfrytëzim të përkohshëm Komunës së Leposaviqit (Kryetarit të Komunës së Leposaviqit), vetura ka qenë e pa përdorshme dhe me defekte, për të cilën Zyra e Kryeministrit s’ka pasur mundësi me servisuar”- thuhet në përgjigjen e ZKM-së.

ZKM për KALLXO.com ka konfirmuar se më datë 4 prill bazuar edhe në marrëveshjen e mirëkuptimit, Zyra për Çështje të Komuniteteve ka kërkuar që vetura t`i kthehet.

“Për arsye të dorëheqjes së zyrtarëve komunal, ne kemi pas vështirësi në komunikim me organet komunale dhe jemi në pritje të fillimit të punës së Kryetarit të ri që të kërkojmë zyrtarisht kthimin e veturës”- thuhet në arsyetimin e ZKM-së.

Të pyetur nëse e dinë vendndodhjen aktuale, Zyra e Kryeministrit nuk kanë dhënë përgjigje, por vetëm kanë thënë që vetura duhet të përdoret në përputhje me udhëzimin administrativ.

“Bazuar në marrëveshjen 60/2021 Komuna e Leposaviqit është obliguar që këtë veturë ta përdorë në pajtim me Udhëzimin Administrativ 03/2008 për shfrytëzimin e Automjeteve Zyrtare”- thuhet në përgjigje.

Të pyetur, po ashtu nëse vetura është tjetërsuar nga ish-kryetari Todiq, Zyra e Kryeministrit prapë kanë përmendur udhëzimin administrativ.

“Vetura është pranuar nga zyrtarët komunal dhe përgjegjësia për shfrytëzimin e veturës në pajtim me rregullativën ligjore përkatësisht Udhëzimin Administrativ 03/2008 për shfrytëzimin e Automjeteve Zyrtare i takon Komunës së Leposaviqit”- kanë thënë ata në përgjigje.

KALLXO.com ka pyetur Zyrën e Kryeministrit se çfarë masa do të marrin për rastin në fjalë, e shpresa e tyre është kryetari i ri që pritet të marrë mandatin, Izmir Zeqiri.

“Ne jemi në pritje të konstituimit të Kryetarit të ri për të vazhduar komunikimin dhe dorëzuar kërkesën zyrtare, po ashtu veturës i skadon afati i regjistrimit më datë 26.06.2023 dhe ne nuk do ta vazhdojmë regjistrimin deri në kthimin e veturës”- kanë thënë ata në përgjigje.

Sipas marrëveshjes së mirëkuptimit, shpenzimet e regjistrimit dhe sigurimit të këtij automjeti i takojnë Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

“Shpenzimet për pastrim, furnizim me karburante, servisim, i bartë komuna e Leposaviqit”- thuhet në pikën 3 të kësaj marrëveshjeje.

Për ta lokalizuar gjipin, KALLXO.com ka pyetur Zyrën e Kryeministrit nëse kanë kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, mirëpo të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje deri në publikimin e këtij teksti.

Përgjigje nëse e kanë pranuar ndonjë kërkesë për lokalizimin e kësaj veture nuk kanë dhënë as Policia e Kosovës.

Ish-kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq i cili mandatin e ka dorëzuar më 6 nëntor të vitit të kaluar, nuk i është përgjigjur pyetjeve të redaksisë për këtë çështje.

Përgjigjet për këtë çështje, kanë munguar edhe nga Komuna e Leposaviqit edhe pse janë kontaktuar nga KALLXO.com.