Qeveria: Kurti nuk ka pasur ftesë specifike për takimin e nesërm për Asociacionin

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë se kryeministri i vendit, Albin Kurti, nuk ka pasur ftesë të personalizuar për takimin e nesërm ku pritet të diskutohet për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeziu në një përgjigje për KALLXO.com tha se për takimin në fjalë ftesë ka pranuar shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, i cili do të marrë pjesë nesër.

“Në takime, diskutime e ngjarje të ndryshme në të cilat merr pjesë Kryeministri, zakonisht atyre ju paraprijnë edhe ftesa e dedikuar dhe e personalizuar për Kryeministrin. Një ftesë të tillë nuk ka pasur në këtë rast. Për takimin në fjalë, ftesë ka pranuar Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, i cili do të marrë pjesë nesër” – ka thënë Kryeziu.

Zëdhënësi i Qeverisë theksoi se zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi dhe ministri për Komunitete dhe Kthim kanë pranuar ftesa specifike për ta.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka konfirmuar për KALLXO.com se u ka bërë ftesë të dy zyrave, asaj të Kryeministrit dhe Presidentes, për takimin e 31 janarit ku pritet të diskutohet për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Një zëdhënës i Ambasadës amerikane tha se në këtë diskutim pjesëmarrjen e kanë konfirmuar anëtarët e stafit të dy zyrave duke shtuar se kanë ftuar grupe të ndryshme liderësh të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë, liderë politikë e diplomatë.

Ambasada amerikane në Kosovë ka konfirmuar një takim të thirrur për të martën më 31 janar, me përfaqësues qeveritarë, liderë politikë e të shoqërisë civile për të diskutuar në lidhje me Asociacionin.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë ritheksuar edhe njëherë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një vështrim për Koha.net, ata kanë thënë se zotimi i Kosovës për ta krijuar Asociacionin nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj.

“Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çfarëdo entiteti që i përngjan Republikës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë (BH); Bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që ta ofrojë vizionin e saj për këtë Asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve”- kanë thënë ata.

Ata kanë elaboruar se çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë një Asociacion i komunave serbe.

Themelimi i Asociacionit është permendur në propozimin e fundit evropian, një plan disa-pikësh i ofruar nga zyrtarët amerikanë e evropianë për Kosovën dhe Serbinë, ndonëse i njëjti ende nuk është bërë publik zyrtarisht.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se e respekton konfidencialitetin e bisedimeve, ndërsa për asociacionin ka shtuar se ka insistim të ndryshëm ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjes. Sipas tij marrëveshja për asociacionin, sipas draftit fillestar nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.