Foto: Denis Sllovinja

Zyra e Jashtme gjermane kërkon pakësimin e trupave serbe në kufi

Zyra e Jashtme e Gjermanisë ka kërkuar që Serbia të pakësojë trupat e saj në kufirin me Kosovën, pa vonesë.

“Duhet të shmanget përshkallëzimi i mëtejshëm mes Serbisë dhe Kosovës. Është e rëndësishme që Serbia të reduktojë trupat e saj në kufirin me Kosovën pa vonesë. Së bashku me partnerët tanë, ne jemi në kontakt të drejtpërdrejtë me palët e përfshira. Procesi politik duhet të vazhdojë urgjentisht” – ka shkruar kjo zyrë në rrjetin social X.

Edhe Shtëpia e Bardhë ka thënë se është e shqetësuar për dislokimin e ushtrisë serbe afër kufirit.

“Ne po monitorojmë një dislokim të madh serb përgjatë kufirit me Kosovën që paraqet një pjesëmarrje të paprecedent të artilerisë serbe, tanke dhe njësi të këmbësorisë. Ne besojmë se ky është një zhvillim shumë destabilizues. Ne i bëjmë thirrje Serbisë që të tërheqë këto forca nga kufiri dhe të kontribuojë në uljen e tensioneve” – ka thënë Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby gjatë një bisede me gazetarë më 29 shtator.

Shtimi i trupave serbe përgjatë kufirit me Kosovën vjen pas sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Për këtë sulm Kosova ka fajësuar Serbinë, por kjo e fundit ka mohuar çdo përfshirje.