Aleksandar Vuçiq
Vuçiq thotë se Serbia nuk do të çojë forca ushtarake në Kosovë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë në një intervistë për gazetën britaneze “Financial Times” se nuk ka ndërmend të urdhërojë forcat ushtarake të vendit të tij që të kalojnë kufirin në Kosovë.
Në deklaratën e Vuçiq për Financial Times të shtunën, thuhet se Serbia do të ulë numrin e forcave të Serbisë në atë zonë, sepse sipas tij përshkallëzimi i konfliktit do të ishte kundërproduktiv për aspiratat e Beogradit drejt Bashkimit Europian.
“Pse kjo do të ishte e dobishme për Beogradin? Cila do të ishte ideja? Për të shkatërruar pozicionin tonë që kemi ndërtuar prej një viti? Për ta shkatërruar këtë brenda një dite? Serbia nuk do luftë” – ka thënë presidenti serb.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se është e shqetësuar për dislokimin e ushtrisë serbe afër kufirit dhe e ka quajtur atë zhvillim shumë destabilizues, duke i bërë Serbisë thirrje për tërheqjen e këtyre forcave.
“Ne po monitorojmë një dislokim të madh serb përgjatë kufirit me Kosovën që paraqet një pjesëmarrje të paprecedent të artilerisë serbe, tanke dhe njësi të këmbësorisë. Ne besojmë se ky është një zhvillim shumë destabilizues. Ne i bëjmë thirrje Serbisë që të tërheqë këto forca nga kufiri dhe të kontribuojë në uljen e tensioneve” – tha zëdhënësi në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, gjatë një bisede me gazetarë më 29 shtator.
Vuçiq lidhur me këtë ka thënë se paralajmërimet e Uashingtonit kanë qenë joproporcionale pasi sipas tij numri i forcave serbe në terren po zvogëlohej.
“Vitin e kaluar kemi pasur 14,000 burra pranë vijës administrative, sot kemi 7,500 dhe do ta reduktojmë në 4,000” – tha ai për FT.
“Dërgimi i trupave nga Serbia në vijën administrative është një gënjeshtër e pastër… Serbia nuk do të përfitonte prej saj pasi kjo do të rrezikonte pozicionin e saj në bisedimet e sponsorizuara nga BE-ja me Prishtinën” – ka deklaruar Vuçiq.
Pakësimin e trupave serbe në kufirin e Kosovës e ka kërkuar edhe Zyra e Jashtme e Gjermanisë.
Edhe Qeveria e Kosovës sonte ka kërkuar nga Serbia që të tërheqë të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën.
Tensionet në veri të vendit janë shtuar pas një sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator, në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Në këtë sulm mbeti i vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku, ndërsa nga kundërsulmi i policisë u vranë tre pjesëtarë serbë të grupit sulmues.
Millan Radoiçiq, ka pranuar zyrtarisht me anë të një letre se ka qenë mbrapa këtij sulmi terrorist, duke thënë se “ai ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit të tij kundër pushtuesit”.
Krerët e Kosovës kanë akuzuar Serbinë dhe presidentin e saj për përfshirje direkte në këtë sulm, përderisa Serbia ka mohuar një gjë të tillë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dje ka thënë se Millan Radoiçiqi “do të duhet t’i përgjigjet” ftesës së organeve kompetente shtetërore.
Portali “Kossev” sot ka raportuar se Millan Radoiçiq ka dhënë sot deklaratë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.