Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zotimet e kandidateve për asambliste në Shtime

Përballë kandidatëve për kryetar të Komunës së Shtimes, në DebatPernime, janë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Shtimes.

Ato në debat kanë dhënë zotimet e tyre në rast se marrin besimin e qytetarëve në zgjedhjet e 17 tetorit.

Adelina Beqa Limani nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës tha se do të shtyjë përpara temat që kanë të bëjnë me familjet në nevojë.

Po ashtu Beqa Limani tha se do të punojë edhe në përfundimin e punëve që do të ndikojnë në mirëqenien më të mirë të qytetarëve në fshatrat.

“Prioritet i imi është që t’u dalim në ndihmë familjeve në nevojë, që çdo familje të ndihet e barabartë me familjet e tjera. E përmes skemës sociale të furnizohen me ushqim e gjëra të tjera. Prioritet tjetër është edhe finalizimi i kanalizimit nëpër fshatra, trotuaret e ndriçimi publik. Do t’i mbështesim gratë edhe në trajnime për treg të punës e në biznes, sidomos në biznese start- up që t’i zgjerojnë bizneset”, është zotuar ajo.

Albana Fazliu nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se do të shtyjë përpara temat që kanë të bëjnë me personat me nevoja të veçanta.

“Një ndër prioritetet e mia janë personat me nevoja të veçanta. Në QKMF mungon mjeku për këta persona dhe unë do të jem zëri i tyre. Do ta rrisim edhe buxhetin për këta persona”, është zotuar fazliu.

Kurse Shqipe Miftari nga Lëvizja Vetëvendosje tha se do të punojë për sportin.

“Qëllimi im është shtyjë përpara aktivitetet e rinisë me fokus të veçantë sportin”, ka thënë Miftari.

E në anën tjetër Vahide Rexhaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se do të kërkojë votën e qytetarëve në mënyrë që të shtyjë përpara tema që kanë të bëjnë me rininë e po ashtu edhe në luftimin e dukurive negative te të rinjtë.

“Shqetësimi është përdorimi i lëndëve narkotike nga të rinjtë tanë. Do të shtyjë procese në harmonizimin e institucioneve arsimore, të policisë, shëndetësisë dhe prindërve në luftimin e kësaj dukurie negative”, tha ajo.

Kurse Zejnie Veliu nga Lista Guxo deklaroi se do të punojë për arsimin dhe rininë.

“Prioritet i imi do të jetë arsimi dhe rinia. Po ashtu edhe avancimi i grave në vendimmarrje. Do ta punoj në depolitizimin e drejtorëve të shkollave”, u shpreh Veliu.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë karrigen e të parit të Shtimes diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Shtimes: Bedri Zeqiri nga LDK; Naim Ismajli nga PDK dhe Qemajl Aliu nga LVV.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe shtatë kandidate për asambliste në Kuvendin Komunal të Shtimes: Adelina Beqa-Limani nga PDK; Albana Fazliu dhe Vahide Rexhaj nga LDK; Shqipe Miftari nga LVV dhe Zejnie Veliu nga Lista Guxo.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.