Zyra Kombetare e Auditimit

ZKA: Raporti për prokurim i KEK-ut u dërgua në Departamentin për çështje juridike dhe kundër mashtrimit

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka përmendur disa raste të cilat janë dërguar në Prokurori nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), të cilat i kanë identifikuar gjatë auditimit.

Spanca, ka thënë se janë 52 raste të cilat janë dërguar në Prokurori.

Spanca ka njoftuar se prokurori e ka caktuar një koordinator nga ana e tyre dhe sipas saj në zyrën Kombëtare është Departamenti për çështje juridike dhe kundër mashtrimit që i marrin raportet dhe i analizojnë.

Ajo ka dhënë disa shembuj të cilët i kanë dërguar në këtë departament duke e përmendur edhe raportin e auditorit për prokurimin publik për KEK.

“Në raportet që i kemi publiku përfshirë raporti i auditorit për prokurimin publik për KEK e kemi dërguar te departamenti”, tha ajo.

Ajo ka dhënë edhe shembuj se në cilat raste i dërgojnë raportet në prokurori.

“Mund t’i jap dy tre shembuj kur një operatori ekonomik mund t’i jepet tenderi përderisa nuk i ka plotësuar kriteret. Për neve ka elemente potenciale të mashtrimit ajo lëndë dërgohet te prokurori i shtetit që ata ta bëjnë vlerësim të hollësishëm. Ka raste të rekrutimit që bëhen pa përmbushjen e kritereve edhe këto raste i adresojmë, rastet e subvencionimit pa kritere. Për neve ka elemente potenciale për mashtrim për të cilat ne nuk jemi në gjendje të japim vlerësim po janë organet kompetente”, tha ajo.

Sa i përket rastit të KEK-ut, Spanca tha se departamenti ka filluar që t’i analizojë raportet dhe beson që deri javën e ardhshme do t’i kenë informatat për raportet të cilat i kanë publikuar.

“Nuk mund të jap detaje sa a ka elemente potenciale të mashtrimit por vetëm, i përmenda disa prej rasteve që ne si auditor mendojmë që ka elemente potenciale për mashtrim”, tha ajo.

Këtë deklaratë Spanca e bëri gjatë raportimit të performancës së Zyrës Kombëtare, në Komisionin për  Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Publikimi i raportit të auditimit për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), shpërfaqi disa gjetje negative në fushën e prokurimit.

ZKA kishte gjetur se Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) i kishte tepruar një sasi e madhe e kushinetave në depo, pasi që gjatë aktivitetit të prokurimit e kishte keqplanifikuar blerjen.

KEK-u kishte nënshkruar një kontratë në vlerë prej 62 mijë e 160 euro për blerje të kushinetave. Operatori ekonomik i kishte dorëzuar kushinetat në depo të KEK-ut në janar të vitit 2021.

Sipas këtij raporti, Korporata Energjetike e Kosovës gjatë viteve 2018, 2019 dhe 2020 ka lidhur plot 98 kontrata të negociuara, me vlerë prej 377 mijë e 140 euro, për reklamime nëpër media të ndryshme në Kosovë.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, asnjëherë nuk ishte matur efekti i këtyre kontratave.