Shpërthimi me granat dore në veri. Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Zhvillimet nga shpërthimi i granatës së dorës në Mitrovicë të Veriut

11:00 – Granata që shpërtheu në Mitrovicë të Veriut është M75

Një granatë dore e cila është identifikuar se është e tipit M75 po dyshohet se u hodh mbrëmë në lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut nga një person apo persona të dyshuar të cilët ende nuk janë identifikuar nga Policia e Kosovës.

Zëvendësdrejtori i policisë në Mitrovicë të veriut, Veton Elshani tha për KALLXO.com se tipi i llojit të granatës së dorës së hedhur, të cilën kanë arritur ta zbardhin nga hetimet e para, është një M75.

Ky tip i llojit të granatës është prodhim jugosllav.

Nga hedhja e kësaj granate janë lënduar dy persona ndërsa dëme materiale kanë pësuar edhe shtatë vetura që kanë qenë të parkuara në atë lokacion ku shpërtheu mjeti i dyshuar.

Nga këto vetura të dëmtuara siç ka parë ekipi i KALLXO.com dëmet kanë qenë xhama të thyer, goma të shpërthyera e gërvishtje të tjera të cilat janë evidentuar në raportet policore forenzike.

Në vendin e ngjarjes ende mund të shihen gjurmë gjaku të cilat sipas policisë mund të jenë të njërit nga të lënduarve nga shpërthimi që ndodhi në afërsi të shkollës teknike.

Policia ka larguar dyshimet se rasti mund të lidhet me çështje politike në vend por thotë se janë duke hetuar disa pista të tjera të ndryshme që janë të përfshirë të lënduarit.

Njëri nga të lënduarit pritet që të dërgohet për trajtim të mëtutjeshëm në Spitalin e Beogradit. Në anën tjetër siç raportoi KALLXO.com, nga dy të lënduarit, njëri ka qenë i plagosur vitin e kaluar në një rast tjetër.

10:26 – Njëri nga të lënduarit nga shpërthimi i mbrëmshëm në veri ishte plagosur edhe vitin e kaluar

Policia tashmë ka nisur hetimin në disa pista për të zbardhur ngjarjen e cila ndodhi mbrëmë në Mitrovicën e Veriut, ku u regjistrua një shpërthim pak para mesnatës.

Zëvendësdrejtori i policisë në veri, Veton Elshani i ka thënë Kallxo.com se cak i shpërthimit në bazë të rezultateve të para të hetimit kanë qenë tre persona të cilët ishin brenda një lokali në afërsi të Shkollës Teknike.

Me të dalë nga lokali dhe deri sa ishin duke hyrë brenda veturës tre personat janë sulmuar me një granatë dore nga person/persona të dyshuar të cilët ende nuk janë identifikuar nga policia.

“Kjo çështje nuk është politike mund të jetë për qërime hesapesh, borxhe, apo vepra të tjera por jo politike. Jemi duke hetuar tashmë disa pista. Njëri nga të lënduarit ka qenë i plagosur në një rast tjetër vitin e kaluar, pra është i njohur”- tha Elshani.

Tutje ai përmendi faktin se njëri nga viktimat që ka marrë lëndime më të rënda, pritet që të transferohet për trajtim në Spitalin e Beogradit.

10:07 – Elshani për shpërthimin në veri thotë se cak ishin tre persona që po dilnin nga një lokal

Dy persona kanë mbetur të lënduar nga një shpërthim, i cili u regjistrua mbrëmë pak para mesnatës në afërsi të shkollës Teknike në Mitrovicën Veriore.

KALLXO.com ka qëndruar që nga orët e hershme të mëngjesit në vendin e ngjarjes dhe ka parë nga afër edhe vendin ku ndodhi shpërthimi.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani në një intervistë për KALLXO.com ka treguar detaje nga rasti.

Ai përshkroi se fillimisht pak para mesnatës tre persona kanë dalë nga një lokal, i cili gjendet në afërsi të Shkollës Teknike dhe ata dyshohet se ishin caku i shpërthimit.

“Tre persona deri sa kanë dalë nga lokali dhe kanë dashtë të hyjnë në veturë, personi/personat të dyshuar të paidentifikuar ende nga policia kanë hedhur granatën e dorës (M75) në drejtim të personave” – tha Elshani për KALLXO.com.

Ai shtoi se nga tre personat që ishin cak dy nga ta kanë marrë edhe lëndime trupore njëri më rëndë.

Madje, shenja të lëndimeve janë vërejtur edhe nga ekipi i KALLXO.com në njërën nga veturat që janë dëmtuar.

Në njërën nga shtatë veturat e dëmtuara, ekipi ka parë se ka edhe njolla gjaku.

Në veturat që pësuan dëme nga shpërthimi i mbrëmshëm ende janë të vendosur shiritat e PK-së, e edhe shenja të tjera që tregojnë se hetimet janë bërë edhe nga feronzika.

Në anën tjetër Elshani, tha se janë duke hetuar disa pista të cilat do të trajtohen edhe më tutje.

Elshani përmendi se janë disa çështje të cilat do të zbardhen gjatë kohës së hetimeve ndërsa bëri të qartë se rasti nuk ka ndodhur për shkaqe politike por në pyetje janë probleme mes personave që ishin cak i shpërthimit dhe personit apo personave të dyshuar.

10:01 – Detaje nga vendi ku u hodh mjeti shpërthyes në Mitrovicë të Veriut – VIDEO

Pas një shpërthimi që ndodhi mbrëmë pas mesnatës në lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, dy persona kanë marr lëndime dhe disa makina kanë pësuar dëme materiale.

Ende nuk dihet se çfarë lloji i mjetit shpërthyes ka qenë, informacionet e para nga policia janë se ka qenë një granatë dore.

Nga pamjet e sjella prej ekipit të Kallxo.com nga vendi i ngjarjes në Lagjen e Boshnjakëve, qarkullimi i automjeteve po vazhdon në mënyrë të rregullt pasi shiritat që u vunë mbrëmë për sigurim të perimetrit, tani janë larguar.

Derisa makinat të cilat kanë pësuar dëme nga mjeti shpërthyes janë ende të parkuara dhe të rrethuara më shirit. Makinat e dëmtuara janë me targa të Serbisë.

Sipas pamjeve, shihet se dy nga makinat e dëmtuara i kanë gomat e shpërthyera, derisa dëmet janë kryesisht në dritare. Janë katër automjete me dëme materiale në dritare nga shpërthimi.

Nga dy të lënduarit njëri është më lëndime më të rënda, por jashtë rrezikut për jetë.

Kujtojmë se edhe gjatë vitit 2023 ka pasur shumë raste të hedhje të mjeteve të ndryshme shpërthyese.

08:49 – Shpërthimi i mesnatës, njësi policore në Mitrovicë të Veriut – VIDEO

Pas shpërthimit që ndodhi mbrëmë pak para mesnatës në Mitrovicë të Veriut, dy persona u lënduan, ndërsa shtatë vetura kanë pësuar dëme materiale, katër prej të cilave u janë thyer xhamat si pasojë e shpërthimit.

Në Lagjen e Boshnjakëve mbrëmë u dëgjua një shpërthim i madh, ndërsa dyshimet janë se u hodh një mjet shpërthyes.

Shumica e veturave janë me targa të Beogradit.

KALLXO.com që gjendet në vendin e ngjarjes sjell nga atje pamje të veturave të dëmtuara.

Rruga kryesore në Lagjen e Boshnjakëve është liruar për qarkullim ndërsa shiritat e policisë janë larguar si rrethojë, por që të njëjtit kanë mbetur si shenjë që aty ka pasur një incident.

Deri më tani nuk ka të dhëna nëse është identifikuar ndonjë person i dyshuar për ngjarjen.

Mbrëmë zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani i ka thënë KALLXO.com se nga ky shpërthim dy persona mbetën të lënduar njëri pak më rëndë, por që është jashtë rrezikut për jetë.

Tutje përgjatë Lagjes së Boshnjakëve më saktësisht përballë shkollës Teknike, u panë edhe njësi policore të cilët po vazhdonin monitorimin dhe mbikëqyrjen situatës pas ngjarjes.

Gjithashtu u panë edhe ekipet e carabiniereve italianë, derisa po patrullonin në të njëjtën zonë.

Përgjatë rrugës ku shpërtheu mjeti i dyshuar e që në bazë të hetimeve të para është një granatë pati edhe disa lokale.

Të njëjtat me aq sa pa ekipi i KALLXO.com, nuk patën ndonjë dëm material.

01:16 – Shpërthimi në Mitrovicë të Veriut, dy të lënduarit janë qytetarë të nacionalitetit serb

Një shpërthim në orët e vona të së hënës në Mitrovicë të Veriut ka lënë të lënduar dy persona.

KALLXO.com merr vesh se dy të lënduarit nga ky shpërthim në Lagjen e Boshnjakëve, janë të nacionalitetit serb.

Shpërthimi ka ndodhur afër shkollës teknike në Mitrovicë të Veriut.

Të lënduarit, sipas Policisë janë jashtë rrezikut për jetë, ndonëse njëri nga ta ka lëndime më të rënda.

Pak para mesnatës një mjet i dyshuar ka shpërthyer në Lagje të Boshnjakëve.

Zëvendësdrejtori i policisë në veti Veton Elshani ka thënë për KALLXO.com se nga shpërthimi janë lënduar dy persona ndërsa kanë pësuar dëmtime edhe shtate vetura.

Në anën tjetër tashmë ekipet e policisë dhe hetuesisë janë në vendin e ngjarjes.

Vendi ku ka ndodhur shpërthimi tashmë është rrethuar me shirita të policisë.

00:38Shpërthim në Mitrovicë të Veriut, ka të lënduar

Para disa minutave ka ndodhur në shpërthim në Mitrovicë të Veriut, në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve, ku si pasojë dy persona janë lënduar.

Lajmi është konfirmuar nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për këtë rajon, Veton Elshani.

“Rreth orës 23:50 dyshohet se ka shpërthyer një granatë dore te hotel “Bisevac” në rrugën Knjaz Millosh në Mitrovicë të Veriut” – ka thënë Elshani për KALLXO.com.

Tutje ai ka shtuar se si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar 7 vetura dhe dy persona kanë mbetur të lënduar.

Ai tha se njëri ka lëndime më të rënda, por është jashtë rrezikut për jetë.

Elshani shtoj se njësit policore relevante janë në vendin e ngjarjes dhe po merren me rastin.

KALLXO.com do të ju mbajë të informuar në lidhje me rastin.