Ilustrim

Zhvillimet në veri, Policia e Kosovës: Po i përcjellim zhvillimet e fundit në veri të Mitrovicës

Policia e Kosovës ka njoftuar se në vazhdimësi po përcjellë zhvillimet e fundit në veri të Mitrovicës.

Policia ka thënë se sipas nevojës dhe vlerësimeve operacionale do të angazhojë personelin e saj, me qëllim të kryerjes së detyrave dhe autorizimeve ligjore, në funksion të garantimit të sigurisë së përgjithshme në vend si dhe ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime.

“Referuar situatës dhe zhvillimeve aktuale në vend, Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, bazuar në aktet ligjore dhe kushtetuese, ka planifikimet e saj operacionale për ruajtjen e rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës, lëvizjen e lirë si dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në gjithë vendin”-thuhet në komunikatën e Policisë.

Policia e Kosovës e ka mohuar se Njësia Speciale është nisur në Veri, pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës.

“Njësitet policore të rendit publik dhe ato kufitare sipas detyrës zyrtare janë duke qarkulluar/lëvizur varësisht nga angazhimet dhe detyrat policore, mirëpo nuk ka ndonjë përfshirje apo dërgim të njësiteve speciale në veri të Mitrovicës, ashtu siç është publikuar në media”, thuhet në komunikatë.

Serbët bojkotojnë institucionet e Republikës së Kosovës, policët zhveshin uniformat – FOTO