Zhvillimet e fundit nga lufta në Ukrainë

Vladimir Putin e e ka quajtur dorëzimin e SHBA të raketave balistike taktike me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë “një gabim tjetër nga Shtetet e Bashkuara” në komentet e tij të para publike që kur një sulm i paprecedentë ukrainas shkatërroi helikopterët në dy fusha ajrore në territorin e pushtuar nga Rusia këtë javë. Presidenti rus pohoi gjithashtu se shpërndarja e raketave ATACMS, të cilat mund të godasin objektiva më shumë se 100 km larg dhe të dërgojnë salvo me municione thërrmuese “thjesht do ta zgjasë agoninë [e Ukrainës]”.

Pamjet e kryeministrit të Hungarisë duke shtrënguar duart me Putinin ishin “shumë, shumë të pakëndshme” dhe në kundërshtim me logjikën duke pasur parasysh historinë e kaluar të Budapestit me Moskën, ka deklaruar kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas. Viktor Orbán dhe Putin zhvilluan bisedime në Kinë të martën, me kryeministrin hungarez duke i thënë presidentit rus se nuk ka dashur asnjëherë të kundërshtonte Moskën dhe po përpiqet t’i shpëtojë kontaktet dypalëshe.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, mbërriti në Korenë e Veriut të mërkurën, thanë agjencitë ruse të lajmeve, me një zëdhënës të Kremlinit duke i thënë agjencisë së lajmeve Tass se vizita dyditore pret t’i hedhë bazat për një udhëtim të ardhshëm në vend nga Putini. Udhëtimi u zhvillua disa ditë pasi SHBA tha se Pheniani zyrtar kishte transferuar municione në Rusi për luftën në Ukrainë.

Sulmet ruse në dy ditët e fundit kanë vrarë të paktën 10 civilë në Ukrainë dhe e kanë dëmtuar rrjetin elektrik në qytetin verilindor të Kharkiv, thanë zyrtarët ukrainas. Ndër objektivat e goditura ishte një ndërtesë banimi në qytetin juglindor të Zaporizhzhia.

Dhoma e ulët e parlamentit rus ka miratuar leximin e dytë dhe të tretë të një projektligji që e revokon ratifikimin nga Rusia të traktatit gjithëpërfshirës të ndalimit të testeve bërthamore. Të dyja dhomat e miratuan njëzëri projektligjin me 415 vota pro. Ministria e Jashtme e Ukrainës më vonë i dënoi hapat e ndërmarrë dhe i kërkoi komunitetit ndërkombëtar t’i përgjigjet “provokimeve” të Moskës.

Presidenti i SHBA Joe Biden do të mbajë një fjalim për amerikanët të enjten mbi luftën në Izrael dhe Ukrainë, thohuet në një njoftim nga Shtëpia e Bardhë. Ka pasur shqetësime se lufta midis Izraelit dhe Hamasit mund ta devijojë mbështetjen ushtarake dhe ndërkombëtare nga Kievi.

Presidenti francez Emmanuel Macron e ka riafrimuar mbështetjen e vendit të tij për Ukrainën gjatë një bisede telefonike të mërkurën me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, ka thënë presidenca franceze. “Ai e siguroi presidentin ukrainas se përhapja e krizave nuk do të dobësojë mbështetjen franceze dhe evropiane për Ukrainën, e cila do të jetë atje për aq kohë sa të duhet”, ka thënë zyra e Macron.

Presidenti amerikan, Biden, thuhet se do ta propozojë një pako të përbashkët prej 100 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin, Tajvanin dhe krizën e migracionit në kufirin SHBA-Meksikë këtë javë. Pakoja synon ta anashkalojë kaosin e Kongresit dhe të bëjë bashkë demokratët me republikanët, të cilët kanë kërkuar ndihmë shtesë për Kievin prej javësh, e të cilët duan fonde për të forcuar kontrollet në kufirin jugor./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala