Flamujt e Kosovës dhe të ShBA-së - Foto: KALLXO.com

Ambasadori amerikan në OSBE: Kosova përcakton kushtet për organizimin e zgjedhjeve të huaja në territorin e saj

Ambasadori i Shteteve të Bashkura të Amerikës në OSBE, Michael Carpenter, ka thënë se Kosova gëzon të drejtën e saj, si shtet i pavarur, që “të përcaktojë kushtet me të cilat do të zhvillohen zgjedhjet e shteteve të tjera sovrane në territorin e saj”.

Deklarimet e ambasadorit amerikan në OSBE vijnë vetëm pak ditë pasi Serbia organizoi një referendum, të cilin autoritetet kosovare nuk lejuan të mbahej në territorin e Kosovës.

“Në lidhje me referendumin, Shtetet e Bashkuara iu bashkuan partnerëve evropianë duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve serbë që të marrin pjesë, pasi ne besojmë se është e rëndësishme që votuesit me të drejtë vote të votojnë në zgjedhje dhe referendume. Ndërsa, le të jemi të qartë për qëndrimin e ShBA-së për të drejtat e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran për të përcaktuar kushtet me të cilat do të zhvillohen zgjedhjet e shteteve të tjera sovrane në territorin e saj”, ka deklaruar Michael Carpenter.

Ai ka ftuar të dy vendet që të shtojnë bashkëpunimin dhe të lënë anash deklarimet që mund të nxisin tensione, ndërkaq, ka falënderuar OSBE-në në Kosovë për gatishmërinë për të ndihmuar procesin e mbledhjes së votave të votuesve që jetojnë në Kosovë, ndonëse Qeveria e Kosovës kishte vendosur për të mos lejuar këto votime.

Ambasadori i ShBA-së në OSBE, Michael Carpenter, paralajmëroi biseda me partnerët, duke përfshirë edhe Qeverinë e Kosovës dhe atë të Serbisë, për të siguruar se qytetarët e këtyre dy shteteve të jenë në gjendje të votojnë në zgjedhjet e vendeve të tyre në vendin ku ata jetojnë.

Kuvendi i Kosovës më 15 janar të këtij viti miratoi një rezolutë kundër mbajtjes së referendumit serb në territorin e shtetit të Kosovës.

Kuvendi e miraton rezolutën kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë

Më 16 janar në Serbi u organizua referendumi për ndryshimet kushtetuese në fushën e drejtësisë.

Pak orë pas mbylljes së referendumit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se rreth 60 për qind e votuesve kanë votuar pro ndryshimit të Kushtetutës.

www.kallxo.com