Zgjatja e afatit të hetimeve me Kodin e ri të procedurës penale

Prokurori i shtetit me rastin e fillimit të hetimeve për raste penale ka të drejtë që një çështje ta hetojë deri në 3 vjet.

Kjo pasi me Kodin e ri të procedurës penale është zgjatur afati edhe për 6 muaj.

Në momentin që prokurori fillon hetimet duhet përfunduar ato brenda 2 viteve, më mundësi që me autorizim të gjyqtarit të procedurës paraprake hetimi të zgjatet edhe për një vjet, duke arritur totalin prej 3 viteve.

“Në bazë të kërkesës së prokurorit të shtetit, gjyqtari i procedurës paraprake mund të autorizojë zgjatjen e hetimit nga paragrafi 1 i këtij neni deri në një (1) vit, kur prokurori i shtetit dëshmon se hetimi është zhvilluar në mënyrë aktive dhe se çdo vonesë është jashtë kontrollit të prokurorit të shtetit”, thuhet në nenin që rregullon kohëzgjatjen e hetimeve.

Me Kodin aktual të procedurës, hetimet duhet të përfundojnë brenda 2 viteve, me mundësi zgjatje edhe për 6 muaj.

Një risi tjetër e paraparë më Kodin e ri të procedurës penale është edhe mundësia e atakimit të vendimit për hedhje të kallëzimit penal.

Me rastet e hedhjes se kallëzimit penal nga prokurori i shtetit, nuk ka pas mundësi për atakimin e këtij vendimi.

Ndërsa tash është lënë mundësia e atakimit të hedhjes së kallëzimit penal në Prokurorinë e Apelit nga pala e dëmtuar.

“Në qoftë se prokurori i shtetit e ka hudh poshtë kallëzimin penal, i dëmtuari ose viktima mund të paraqesë ankesë kundër aktvendimit për hudhjen e kallëzimit penal brenda tetë (8) ditëve nga pranimi i njoftimit sipas paragrafit 4 të këtij neni. Ankesa paraqitet në Prokurorinë e Apelit përmes prokurorisë themelore. Ankesa duhet të përmbajë faktet dhe arsyet e ankesës”, thuhet në nenin që e rregullon këtë çështje.

Nëse ankesa aprovohet nga Prokuroria e Apelit, kjo e fundit e udhëzon prokurorin e rastit për ndërmarrjen e veprimeve shtesë lidhur me kallëzimin penal.

Kuvendi i Kosovës në seancën plenare të së enjtes, e ka miratuar në lexim të dytë Kodin e ri të procedurës penale.