Banka Qendrore e Kosovës

Zgjatet deri më 30 shtator afati për paraqitjen e kërkesave për ristrukturim të kredive

Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore sot ka marrë vendim që të zgjasë e afatin e paraqitjes së kërkesave për ristruktrim të kredive deri më datë 30 shtator 2020.

Ky vendim është marrur sipas Udhëzuesit për Ristrukturimin e Kredive për Shkak të COVID-19, ka njoftuar Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

Sipas komunikatës së BQK-së, Udhëzuesi për Ristrukturimin e Kredive për shkak të COVID-19 u nxor nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës më 8 qershor 2020 me qëllim të vendosjes së kritereve mbi të cilat duhet të bazohet procesi i ristrukturimit të kredive në kushtet dhe rrethanat e krijuara nga pandemia COVID-19.

Ky Udhëzues parasheh  që kredimarrësit me vështirësi financiare të kenë mundësi të përmbushin detyrimet e parapara me kontratë dhe të zhvillojnë aktivitetin e tyre biznesor.

Udhëzuesi aplikohet për të gjitha institucionet financiare të autorizuara për të ushtruar aktivitet të kredidhënies në Republikën e Kosovës.

Afati i deritanishëm për ristruktimin e kredive  ka qenë data 31 gusht.