Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zemaj: Dy persona që u lënduan nga eksplodimi në Ferizaj shkojnë për shërim në Austri

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka njoftuar se pas dërgimit në Turqi të katër të lënduarve nga djegia që pësuan në një lokal në Ferizaj, edhe dy pacientë do të shkojnë për trajtim mjekësor në Austri.

Zemaj ka falënderuar Austrinë për këtë “mirëkuptim dhe veprim emergjent për dy qytetarët të lënduar”.

“Sot, në orët e para të mëngjesit, pas angazhimit të madh dhe bashkëpunimit të jashtëzakonshëm me ambasadorin e Turqisë në Kosovë, z. Çağrı Sakar, kemi arritur që të dërgojmë për mjekim të mëtejmë në Turqi katër pacientët që kanë pësuar djegie të rënda nga aksidenti në Ferizaj. Varësisht sipas nevojës dhe vlerësimeve që kanë bërë mjekët në QKUK kemi siguruar që dy pacientët tjerë të dërgohen për mjekim në Austri”, ka thënë Zemaj në rrjetin social “Facebook”.

“Jemi mirënjohës edhe për gatishmërinë e shumë qytetarëve për të ndihmuar në trajtimin e pacientëve që kanë pësuar në këtë aksident.Megjithatë, shprehim keqardhje, që edhe në këto momente të vështira për familjarët e atyre që kanë pësuar, ka njerëz të lig dhe pa etikë njerëzore. Disa të tillë, duke u fshehur prapa fatkeqësisë, tentuan t’i njollosin institucionet tona dhe punën e profesionistëve tanë shëndetësorë. Solidariteti dhe angazhimi i përbashkët është minimum që duhet dhe mund të bëjmë në këto rrethana”, shtoi ai.

Sot në mëngjes, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, njoftoi se dy të lënduar që kanë pësuar djegie të rënda, janë nisur për në Turqi, ndërsa janë në procedura edhe dy të tjerë.

Por, familjarë të të lënduarve thonë se mjekët e QKUK kanë kërkuar që në total gjashtë të lënduar të dërgohen në Turqi, për trajtim, e jo vetëm katër.

Të paktën 44 persona mbetën të lënduar nga një shpërthim që ndodhi pasditen e së martës, në një lokal në Ferizaj. 15 prej të lënduarve po trajtohen në QKUK, ku 2 prej tyre tashmë janë nisur për trajtim në Turqi, mëngjesin e sotëm.

Ende nuk ka një version zyrtar se si erdhi deri tek shpërthimi, por dyshohet që ka ndodhur për shkak të një bombole gazi.

Familjarët e të lënduarve nga shpërthimi në Ferizaj ankohen se shteti nuk po siguron trajtimin në Turqi