Familjarët e të lënduarve nga shpërthimi në Ferizaj ankohen se shteti nuk po siguron trajtimin në Turqi

Familjarët e të lënduarve nga shpërhthimi në Ferizaj që ndodhi të marten me 5 janar, po ankohen se shteti nuk po arrin të sigurojë trajtimin në Turqi, për të lënduarit që janë në gjendje më të rëndë.

Sot në mëngjes, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, njoftoi se dy të lënduar që kanë pësuar djegie të rënda, janë nisur për në Turqi, ndërsa janë në procedura edhe dy të tjerë.

Por, familjarë të të lënduarve thonë se mjekët e QKUK kanë kërkuar që në total gjashtë të lënduar të dërgohen në Turqi, për trajtim, e jo vetëm katër.

Ilir Gashi është familjar i të lënduarit nga shpërthimi në Ferizaj, Fidan Gashit. Për këtë të fundit, QKUK-ja ka kërkuar që të ketë trajtim jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike. Por Ilir Gashi pretendon se familjarit të tij dhe një tjetër personi të lënduar në gjendje më të rëndë, nuk po iu sigurohet trajtimi në Turqi.

“Mjekët e QKUK kanë kërkuar që në total gjashtë të lënduar që janë në gjendje më të rëndë, të dërgohen për në Turqi për trajtim atje. Kjo pasi Kosova nuk ka një Klinikë adekuate për trajtim të djegieve të rënda dhe ekziston edhe rreziku të infektimit me COVID-19. Por vendimi nga Ministria është marrë vetëm për 4 persona. Familjari im dhe një tjetër përsoni të lënduar rëndë nuk po iu sigurohet trajtimi në Turqi”, ka thënë Gashi për KALLXO.com.

Ai thotë se arsyetimi i Ministrisë është se Ministria e Shëndetësisë në Turqi ka njoftuar se nuk ka mundësi më shumë se 4 personave të iu sigurojë trajtim.

“Ministra po na thotë se shteti turk nuk ka mundësi më shumë se 4 personave të iu sigurohet trajtimi i mëtutjeshëm. Ka mundësi që të trajtohen edhe në spitalet private në Kosovë, por edhe ato nuk dihet a kanë kapacitete, për shkak të COVID-19”, pretendon Gashi.

 

KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje prej zëdhënësit të ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, por i njëjti nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike.

Të paktën 44 persona mbetën të lënduar nga një shpërthim që ndodhi pasditen e së martës, në një lokal në Ferizaj. 15 prej të lënduarve po trajtohen në QKUK, ku 2 prej tyre tashmë janë nisur për trajtim në Turqi, mëngjesin e sotëm.

Ende nuk ka një version zyrtar se si erdhi deri tek shpërthimi, por dyshohet që ka ndodhur për shkak të një bombole gazi.

Dje gjatë ditës, drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Plastikë në Qendrën e Klinikes Universitare të Kosovës (QKUK), Zenë Buja tregoi për gjendjen e pacientëve, të cilët u lënduan nga shpërthimi i një bombole gazi në Ferizaj.

Buja tregoi se nga 14 pacientë sa janë trajtuar në QKUK 6 prej tyre me djegie me të thella janë në Klinikën Intensive e në mesin e tyre edhe një 20 vjeçare, e cila është në gjendje më të rëndë shëndetësore.

Kjo është gjendja e të lënduarve nga shpërthimi në Ferizaj