Zelenskyy në samitin në Tiranë: Humbja dhe dështimi i Putinit, janë siguria jonë

Presidenti i Ukrainës, Voldymyr Zelenskyy ka deklaruar se është e rëndësishme që presidenti rus, Vladimir Putin dhe regjimi tij të humbasë, pasi sipas tij, “dështimet e tij [Putin]janë siguria jonë”.

Në samitin “Ukrainë- Europa Juglindore”, që po mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, presidenti ukrainas tha se Putin po përdorë përpjekjet diktate të vjetra, që t’i detyrojë kombet e tjera që të bëjnë siç thotë ai.

“Kemi parë se si në të kaluarën ka pasur njerëz që janë përpjekur për të përcaktuar fatin e kombeve të tjera, kjo ka ndodhur edhe në Ballkan. Tani Putini dëshiron të bëjë pikërisht këtë gjë, e gjithë armiqësia e tij, gjithçka që ai bën, gjithçka që ai dëshiron  të bëjë duke detyruar kombet e tjera që të bëjnë siç thotë ai, pra është përpjekje që diktatet e vjetra të vendosin se çka duhet të bëjnë kombet. Prandaj është e rëndësishme për shtetet tona të lira që Putini dhe regjimi i tij të humbasë sepse dështimet e tij janë siguria jonë” – ka deklaruar Zelenskyy.

Zelenksyy tha se, çdo shtet në Europë meriton integrim te plotë, duke theksuar se Ukraina do mbështet vendet e Europës Juglindore në rrugëtimet e tyre për integrim.

“Besojmë që çdo shtet e çdo komb në Europë, që i ruan parimet e komunitetit europian dhe atij euroatlantik dhe dëshiron të jetë anëtar i këtyre komuniteteve, meriton integrimin e plotë, Ukraina mbështet vendet tuaja në rrugëtimet tuaja për integrim europian dhe ju është shumë mirënjohëse për mbështetjen që ju po na jepni për integrimin tonë”- theksoi ai.

Më tej, Zelenksyy tha se është i interesuar në bashkëprodhimin e municioneve dhe se detajet do të prezantohen nga qeveria e tij.

“Jemi të interesuar në bashkëprodhimin e municioneve me ju dhe me partnerët tanë, ekipi ynë i Qeverisë tonë do të prezantojë të gjitha detajet dhe ne propozojmë që të organizohet një forum i posaçëm për industrinë e mbrojtjes mes Ukrainës dhe Ballkanit, qoftë në Kiev apo në një nga kryeqytetet tuaja. Ju jam shumë mirënjohës për punën e përbashkët që është bërë”- u shpreh presidenti i Ukrainës.

Zelenskyy po qëndron në një vizitë zyrtarë në Shqipëri, si bashkëorganizator i Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore” që nis  punimet në Tiranë me pjesëmarrjen e liderëve  nga  Europa  Juglindore dhe Ballkani Perëndimor më 28.02.2024.

Në këtë takim liderët pritet të diskutojnë se si mund të punojnë së bashku dhe të ofrojnë mbështetjen për Ukrainën, si dhe të kontribuojnë në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe Evropës.

Që vizita e Zelenskyyt të përcillet pa ndonjë incident, Policia në Shqipëri në bashkëpunim me Gardën e Republikës, janë angazhuar me masa të rrepta sigurie, duke njoftuar se disa rrugë do të jenë të bllokuara në kohë të ndryshme gjatë lëvizjes se delegacionit nëpër kryeqytet.

Zelenskyy ka mbërritur në Shqipëri më 27.02.2024. Aeroplani i presidentit ukrainas, u ul në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë rreth orës 23:00 të së martës.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24.02.2022.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Në kundërpërgjigje të Rusisë, vendet perëndimore, përfshirë edhe Kosovën, kanë vendosur sanksione të ashpra.