Zëdhënësja e Komisionit Evropian: Presim zgjedhje të besueshme dhe transparente

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, përmes një ‘cicërime’ në Twitter, ka thënë se Bashkimi Evropian pret zgjedhje të besueshme, gjithëpërfshirëse dhe transparente, që Kosova të ecë përpara.

“Bashkimi Evropian pret zgjedhje të besueshme, gjithëpërfshirëse dhe transparente, të zhvilluara në përputhje me standardet ndërkombëtare, në mënyrë që Kosova të mund të ecë përpara”.

Ajo ka shkruar se BE-ja do të vazhdojë të angazhohet me të gjitë, për të promovuar agjendën e integrimit evropian dhe reformën e nevojshme.

Dje, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpërndarë legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe ka caktuar zgjedhjet parlamentare të parakohshme për më 14 shkurt 2021.

“Duke u bazuar në përgjegjësitë kushtetuese dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese Nr. KO-95/20, si dhe pas diskutimit me partitë parlamentare dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, u.d. Presidentja, dr.Vjosa Osmani, ka marrë vendim të shpallë zgjedhjet dhe të caktojë 14 shkurtin 2021 datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Më këtë vendim KQZ-ja është udhëzuar t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës.