Xhelal Sveçla kërkon nga policia angazhim maksimal në hetimin e vdekjes së 26 vjeçarit

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se ka kërkuar nga drejtori i Policisë së Kosovës angazhim maksimal nga ana e policisë për hetimin e rastit të vdekjes së 26 vjeçarit nga Gjilani.

Gjatë ditës së djeshme, një person ka vdekur në konviktet e qendrës së studentëve e cila është duke u përdorur si qendër karantimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sveçla ka shkruar se do të përdoren të gjitha masat që janë në dispozicion të Ministrisë për hetimin e rastit.

Sveçla poashtu i ka bërë thirrje Prokurorisë që ta trajtoj këtë rast me prioritet.

Postimi i plotë i Ushtruesit të detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Dje jemi ballafaquar të gjithë, si individë, si familjarë, si institucione e si Republikë me lajmin tragjik mbi shuarjen e një jete të re. Momentet e këtilla janë të vështira për të gjithë, e në radhë të parë për familjen. Me këtë rast dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Musliu.

Momentet e këtilla kërkojnë reagim të menjëhershëm të institucioneve të rendit dhe po ashtu, solidaritet të gjithë shoqërisë me dhimbjen e familjes.

Dua t’ju informoj që në pajtim me kompetencat e mia, kam kontaktuar drejtorin e Policisë dhe kam kërkuar angazhim maksimal të Policisë në hetimin e këtij rasti. Ju siguroj që të gjitha masat që janë në dispozicion të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike do të ndërmerren pa asnjë hezitim.

Me këtë rast i bëj thirrje Prokurorisë që ta trajtojë këtë rast me prioritet absolut dhe shpresoj që rastet e këtilla të mos përsëriten.