Foto: Facebook/Jakov Milatovic

Vuçiq shtron darkë për presidentin e Malit të Zi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shtruar darkë për homologun e tij malazias, Jakov Millatoviq.

Presidenti i Malit të Zi po qëndron për vizitë zyrtare në Serbi.

Kjo është vizita e parë në një vend tjetër e Millatoviqit si president i Malit të Zi, me përjashtim të vizitave në institucionet evropiane dhe NATO në Bruksel.

“I urova mirëseardhje Presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i bindur se po hapim një kapitull të ri në marrëdhëniet mes vendeve tona dhe popujve vëllezër” – ka shkruar Vuçiq në llogarinë në Instagram “buducnostsrbijeav”.

Ndërsa, në një pritje ceremoniale në Shtëpinë e Malit të Zi në Beograd, Millatoviq ka thënë se në Beograd ka ardhur “me synimin për të kontribuar në rigjallërimin e marrëdhënieve politike midis dy vendeve”.

Viteve të fundit, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të tensionuara.

Jakov Millatoviq është zgjedhur president i Malit të Zi pas rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, i mbajtur më 2 prill të këtij viti.

Në ceremoninë e inaugurimit të tij, më 20 maj, ka marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.