Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq - Foto: REL

Vuçiq pas takimit me admiralin e NATO-s: Shtensionimi i situatës është detyrë kyçe

Presidenti i Serbisë, Aleksadar Vuçiq, ka thënë se paqja dhe shtensionimi janë detyra kyçe për të gjithë.

Kështu ka thënë Vuçiq pas takimit me kreun e Komitetit ushtarak të NATO-s, admiralin Rob Bauer, në Beograd.

Ai përmes rrjetit social “Instagram” ka thënë se me Bauer kanë pasur një bisedë të mirë.

“Bisedë e mirë me admiralin Rob Bauer, Kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s. Paqja dhe de-përshkallëzimi i tensioneve janë detyra kyçe për të gjithë ne” – ka shkruar Vuçiq.

Presidenti serb tutje ka thënë se Serbia vazhdon të jetë neutral në aspektin ushtarak, por do të vazhdojë të ketë “bashkëpunim korrekt” me NATO-n.

Ky takim vjen katër ditë para përfundimit të afatit të vendosur nga Qeveria e Kosovës që pronarët e automjeteve me targat ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’, që janë pajisur nga 10 qershori 1999 e deri më 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i automjeteve me targat RKS.

Kryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë – më 27 tetor paralajmëroi se do të vendosen bllokada në veri, nëse Kosova pas 31 tetorit do të konfiskojë targat dhe makinat e serbëve.

Ndërsa i dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i ka kërkuar presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti shtyrjen për 10 muaj të vendimit.

Pas kësaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar kërkesën e aleatëve për shtyrjen e implementimit të vendimit për targa. Kreu i ekzekutivit kosovar tha që do t’i dëgjojnë sugjerimet e aleatëve.

Kurti tha që Kosova e ka shtyrë afatin një herë, duke i bërë thirrje qytetarëve që në ditët e mbetura t’i konvertojnë tabelat.

“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje të afatit, nga 31 korrik për një muaj. Unë edhe njëherë i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që janë të përkatësisë serbe t’i konvertojnë targat. Mos të harrojmë që fushata vazhdon, ne po e vazhdojmë fushatën nëpër media, takime zyrtare publike, në mënyrë që targat RKS të shtohen dhe targat e tjerat të hiqen” – tha Kurti.

Para pak ditëve, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës e ka konfirmuar se që nga 1 tetori, kur ka filluar procesi i regjistrimit të veturave nga targat ilegale, në targa RKS-së, janë vetëm 13 vetura që e kanë kryer këtë proces.