Josep Borrell, Mirosllav Lajçak dhe Aleksandar Vuçiq. Screenshot: EU

Vuçiq: E kuptoj gatishmërinë e Lajçak e Borrell për të shtensionuar situatën

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq pas takimit që ka pasur me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka bërë një reagim në profilin e tij në Instagram.

Ai ka thënë se ka biseduar me Lajçakun dhe Borrellin për situatën në Kosovë dhe i ka dëgjuar për gjithçka që ata kishin për të thënë.

“E kuptoi gatishmërinë e tyre për të deskaluar/shtensionuar situatën dhe se përmes bisedimeve të zgjidhim problemet” – ka thënë Vuçiq.

Ai tutje tha se sot ka paraqitur një raport për, siç pretendon ai, lëndimet e serbëve të arrestuar, duke thënë se ata nuk kanë faj.

“Sot kam paraqitur një raport për lëndimet e serbëve të arrestuar, të cilët nuk kanë faj, për të parë se në çfarë gjendje fizike janë, kush i ka rrahur, si i ka rrahur brutalisht si askush tjetër në Evropë, për të parë se si një komb persekutohet vetëm sepse duan të jenë një për vete” – tha presidenti serb.

Ai tutje shtoi se do të vazhdojë të flas me Borrell e Lajçak në nivel të përditshëm sepse beson se paqja dhe stabiliteti janë një rëndësi kyçe.

“Paralajmërova edhe një herë se serbët janë në një pozitë shumë të vështirë dhe se nuk duan të vuajnë më terrorin” – tha në fund ai.

Borrell e Lajçak sot mbajtën takime bilaterale me dy palët, atë kosovare e serbe. Fillimisht u mbajtë një takim në mes tyre dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Takimet më pas vazhduan në mes ndërmjetësuesve e Vuçiqit, e pas përfundimit me këtë të fundit, Borrell e Lajçak u takuan prapë me Kurtin.

Borrell, gjatë ditës sot pati dy deklarime.

Në njërin rast tha se palët pritet të qetësojnë tensionet dhe të përmbushin detyrimet e tyre pa parakushte, e se ide konstruktive dhe gatishmëri për kompromis nevojiten për të adresuar krizën e vazhdueshme në veri të Kosovës.

Ndërsa, në deklarimin e dytë tha se sot po synojnë të gjejnë zgjidhje për shtensionimin e menjëhershëm dhe rrugën përpara dhe se situata në veri vazhdon të jetë shumë e tensionuar.

Bashkimi Evropian në një komunikatë për media ka njoftuar sot se Borrell do të pres në një seri takimesh për menaxhimin e krizave Kurtin dhe Vuçiqin në Bruksel.

Sipas njoftimit, diskutimet do të fokusohen në gjetjen e mënyrave për të shtensionuar situatë në veri të Kosovës.

Pas takimeve, Borrell pritet të prononcohet për mediat.

Vuçiq ka deklaruar se nuk do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ai ka thënë se nuk ka kuptim të flas me Kurtin, ndërsa ka shtuar se takohet vetëm me Borrellin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi dje se nga Roma do të udhëtojë për në Bruksel. Ai ka thënë se do të insistojë për lirimin të 3 policëve të kidnapuar, deeskalimin dhe normalizimin e marrëdhënieve.

Këto takime po mbahen për shkak të situatës së tensionuar në veri të Kosovës.

Kurti takohet prapë me Borrellin e Lajçakun