Josep Borrell, Mirosllav Lajçak dhe Albin Kurti. Pamje nga takimi i parë i datës 22 qershor 2023.

Kurti takohet prapë me Borrellin e Lajçakun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar për herë të dytë sot me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, mëson KALLXO.com.

Takimi i dytë ka ardhur pas atij që këta të fundit patën me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Borrell, sot ka pasur dy reagime në Twitter për takimet e zhvilluara me palën kosovare dhe atë serbe.

Për njoftimin që bëri për takimin me Vuçiq, Borrell tha se palët pritet të qetësojnë tensionet dhe të përmbushin detyrimet e tyre pa parakushte.

“Ide konstruktive dhe gatishmëri për kompromis nevojiten për të adresuar krizën e vazhdueshme në veri të Kosovës” – tha Borrell teksa njoftoi se takimi me Vuçiq ka filluar.

Ndërsa, në njoftimin që përfaqësuesi i BE-së pati për takimin me Kurtin, Borrell deklaroi se sot po synojnë të gjejnë zgjidhje për shtensionimin e menjëhershëm dhe rrugën përpara.

Borrell tha se situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë shumë e tensionuar.

“Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë shumë e tensionuar. Sot, ne synojmë të gjejmë zgjidhje për shtensionimin e menjëhershëm dhe një rrugë përpara. Ka nisur takimi me kryeministrin Albin Kurti” – ka shkruar Borrell në Twitter.

Bashkimi Evropian në një komunikatë për media ka njoftuar sot se Borrell do të pres në një seri takimesh për menaxhimin e krizave Kurtin dhe Vuçiqin në Bruksel.

Sipas njoftimit, diskutimet do të fokusohen në gjetjen e mënyrave për të shtensionuar situatë në veri të Kosovës.

Pas takimeve, Borrell pritet të prononcohet për mediat.

Vuçiq ka deklaruar se nuk do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ai ka thënë se nuk ka kuptim të flas me Kurtin, ndërsa ka shtuar se takohet vetëm me Borrellin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi dje se nga Roma do të udhëtojë për në Bruksel. Ai ka thënë se do të insistojë për lirimin të 3 policëve të kidnapuar, deeskalimin dhe normalizimin e marrëdhënieve.

Këto takime po mbahen për shkak të situatës së tensionuar në veri të Kosovës.

Fillon takimi Borrell – Lajçak – Vuçiq