Vrasja në Lipjan më 2009, gjykata pritet të marrë vendim për herën e tretë

Pritet të shpallet vendimi ndaj Gëzim Retkocerit i akuzuar për vrasjen e Naim Hajrizit në afërsi të Lipjanit në prill të vitit 2009.

Gjykata e Prishtinës për sot ka caktuar shpalljen ndaj tij ku për herën e tretë do të vendoset lidhur me këtë rast.

Ky rast nga Apeli me ankesë nga palët është kthyer dy herë në rigjykim.

Gëzim Retkoceri po akuzohet se me datë 29 prill 2009, së bashku me një person të panjohur, e kanë rrëmbyer e pastaj e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Naim Hajrizi, të cilin e kanë goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart, e me qëllim që të fshehën gjurmët edhe e kanë djegur atë.

Në këtë rast i akuzuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje ishte edhe Osman Spahiu, por pas deklarimit të tij mbi veprën të njëjtit i është ri-cilësuar vepra në dhënie të ndihmës për kryerje dhe i është shqiptuar dënimi me 10 vite burgim.

Ndërsa, Retkoceri në gjykimin paraprak ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 30 viteve.

Aktgjykimi i fundit në këtë rast ishte shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 janar 2020, por që kundër këtij aktgjykimi ishte ushtruar ankesë nga mbrojtja andaj tani edhe është duke u rigjykuar.

Raportimet e KALLXO.com në lidhje me këtë rast i gjeni KËTU.