Një nga seancat gjyqësore ndaj të akuzuarës Nazire Abdyli, (07.08.2023) Foto: KALLXO.com

Vrasja në Dragash, 65-vjeçarja deklarohet e pafajshme për vrasjen e kunatës

Nazire Abdyli, e dyshuar për vrasjen e kunatës, ka dalë sot përpara Gjykatës së Prizrenit për t’u ballafaquar me akuzën që rëndon ndaj saj.

Sipas Prokurorisë, në dhjetor të vitit 2022, Abdyli e mllefosur për shkak të papastërtisë së kunatës së saj-motrës së bashkëshortit Saime Domazeti, e godet me mjete të forta dhe si pasojë e lëndimeve Domazeti vdes tre ditë më vonë.

Në lidhje me këto pretendime, pas leximit të aktakuzës, Nazire Abdyli nuk e ka pranuar fajësinë.

“I kam ra, nuk po them që s’i kam ra, por sa për tjerat sene jo…” – ka deklaruar e pandehura.

Besim Morina, avokat i të pandehurës, ka sqaruar se heqin dorë nga e drejta për kërkesë të hedhjes së aktakuzës dhe kundërshtim të provave pasi nuk kanë prova për ta kundërshtuar.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua për më 15 dhe 27 shtator 2023.

Sipas Prokurorisë, Nazire Abdyli akuzohet se më 23 dhjetor 2022, me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e familjes – motrën e bashkëshortit, me të cilën ka jetuar në ekonomi të përbashkët familjare.

Në aktakuzë thuhet se e mllefosur për shkak të papastërtisë së viktimës, Saime Domazeti, e cila ishte e shtrirë në dhomën e katit të dytë të shtëpisë së të pandehurës Nazire Abdyli, në fshatin Kuk  të Dragashit, me një dru të ahut të gjatë 25 cm dhe trashësi 4×2.5 cm, me një pjesë të laminatit, me ngjyrë të bardhë, me gjatësi 87 cm dhe trashësi 4×1.2 cm dhe një copë dërrase të llamperisë në gjatësi 78 cm dhe trashësi 1.2×10 cm, e godet disa herë viktimën në të gjitha pjesët e trupit dhe së fundmi në pjesën e majtë të fytyrës duke i shkaktuar gjakderdhje në tru.

Si pasojë e këtij lëndimi, më 26 dhjetor 2022 Saime Domazeti ka vdekur.

Me këto veprime, Nazire Abdyli po akuzohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë ngjarje ku e dyshuara në seancën e paraburgimit e ka pranuar se e ka goditur për vdekje motrën e bashkëshortit.

65-vjeçarja ishte arrestuar më 27 dhjetor 2022. Ajo në Polici e kishte pranuar se ka goditur për vdekje kunatën e saj.

Raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.