Ilustrim

Therje me thikë në Dobërçan të Gjilanit, vdes një person

Një person ka vdekur si pasojë e plagëve që ka marrë nga një therje me thikë në orët e mbrëmjes në fshatin Dobërçan të Gjilanit.

Zëdhënësi i Policisë në Gjilan, Valon Osmani për KALLXO.com ka konfirmuar se ngjarja është regjistruar rreth orës 21:00.

Sipas Osmanit, policia ka pranuar informacion se një person nga fshati Dobërçan është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Gjilanit në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i mprehtë.

“Viktima nuk ka arritur që t’iu përballojë plagëve të shkaktuara dhe i njëjti ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku kujdestar” – ka thënë Osmani për Kallxo.com.

Ai shtoi se tashmë zyrtarët policorë kanë arrestuar një të dyshuar në lidhje me rastin.

Tutje ai shtoi se njësitet policore relevante së bashku me Prokurorin e Shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke punuar për zbardhjen dhe sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë rast.