Foto; KALLXO.com

14 armë zyrtare të policëve sekuestrohen pas ngjarjes së rëndë në Zllatar

14 armë të zyrtarëve policorë janë sekuestruar pas ngjarjes së rëndë e cila ndodhi mbrëmjen e kaluar në fshatin Zllatar të Komunës së Prishtinës.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj.

“Po janë sekuestruar 14 armë zyrtare dhe do të dërgohen për ekzaminim”, tha shkurt Hodaj.

Një zyrtar policor ka vdekur pasi dyshohet se u qëllua nga kolegu i tij me armë zyrtare.

Deri më tani ngjarja dyshohet se ka ndodhur aksidentalisht ndërsa KALLXO.com raportoi se pati edhe të shtëna të tjera përveç asaj që kapi zyrtarin policor L. Haxholli.

6 zyrtarë policorë janë arrestuar pasi dyshohet se kanë shtënë me armë zjarri ndërsa 9 të tjerë janë suspenduar.

Në total të gjithë pjesëtarët policorë që kanë marrë pjesë në ndejën e mbajtur mbrëmë ku u vra polici janë suspenduar me rekomandim të IPK-së.

Pak minuta para mesnatës së djeshme një ngjarje e rëndë ka ndodhur ne fshatin Zllatar të Prishtinës, ku një polic ishte plagosur fillimisht dhe ishte nisur drejtë Emergjencës.

Vdekjen e policit e kishte konstatuar edhe mjeku kujdestar në QKUK.

Mëngjesin e sotëm Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se kanë arrestuar zyrtarin policor që dyshohet se ka gjuajtur me armë në kolegun e tij dhe pesë të tjerë për veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Të njëjtit janë dërguar në mbajtje për 48 orë me urdhër të prokurorit të rastit.

Ndejë private ku prezent ishin 15 policë, detaje nga vrasja e policit në Zllatar