'Mos u brengos se nuk është serioze n’krah e ki plagën” – Fjalët që dëshmitari ia tha policit pasi ishte qëlluar në ahengun në Zllatar

Fatlum Mehmeti i akuzuar për vrasjen e kolegut të tij në ahengun e mbajtur në Zllatar më 18 shkurt të vitit të kaluar, u përball me dëshminë e dy pjesëmarrësve që kishin qenë prezent në natën kritike.

Dëshmitari Ilir Sadiku pohoi të ketë marrë pjesë në këtë aheng, i njëjti pohoi para gjykatës se për aheng kishin blerë pije alkoolike. Sadiku shtoi se pothuajse të gjithë pjesëmarrësit kishin qenë të pajisur më armët zyrtare.

Sadiku vazhdoi rrëfimin e tij duke treguar detaje se si kishin qenë të ulur të pranishmit si dhe çfarë kishte qenë duke bërë ai në momentin kritik ku kishte mbetur i vrarë L. H.

“Jam çu me telefon në dorë për me ndërru muzikën dhe kam ecur, kjo është para se me u ni krisma, nja 10 sekonda derisa i kam bo 3-4 hapa, kom ec në drejtim të derës. Kur ka ndodhur ngjarja  e kam pas mbrapa nja 3 metra, kur e kom ni krismën jam kthyer mbrapa edhe e kom pa {të ndjerin} të ngritur në këmbë edhe e ka pas njërën dorë të afrume afër vetës edhe në atë moment ai {i ndjeri} është rrëzuar për toke edhe jam afruar menjëherë që t’ia gjej ku e ka plagën”- rrëfeu nën lot dëshmitari.

Sadiku vazhdoi rrëfimin e tij i emocionuar duke treguar se si kishte bërë përpjekje për të ja gjetur plagën kolegut të tij dhe si kishin menduar se nuk është plagosur tashmë i ndjeri.

“Ja kam gris maicën, por nuk ja kom pa plagën kurrkund në trup qato momente u kanë lehtësim për neve se kena menduar që do të thotë nëse e ka rrok dikon tjetër nuk është serioze, jashtë pjesëve vitale edhe masandej e kena këqyr edhe n’kry a po shohim njolla të gjakut, e kem pa që edhe në kokë nuk ka lëndim…, masi nuk ja kem gjetë kërkun plagën, e kemi kthy n’krah edhe mbasanej e kem pa që plagën e ka n’krah” – vazhdoi rrëfimin dëshitari.

Dëshmitari i propozuar nga prokuroria tregoi pak nga fjalët që i kishte thënë të plagosurit në atë kohë se mos të brengoset sepse asgjë nuk ishte serioze.

“Jom mundu gjatë gjithë kohës me i fol edhe kur e kam pa që e ka plagën në krah i kam thanë mos u brengos se nuk është serioze se n’krah e ki plagën”- tregoi t`i kishte thënë dëshmitari kolegut të tij, tashmë i ndjerë.

Sadiku shpjegoi ta ketë parë tashmë të akuzuarin duke e goditur vetën me grushte në fytyrë pasi kishte dëgjuar krismën e armës. I njëjti tha se në ato momente e kishte kuptuar që Mehmeti kishte shkrepur armën.

“Kur i kam pa qato reagimet e Fatlumit t`u e godit veten, me grushta ftyrës”- tha Sadiku.

Në këtë seancë, përfundoi dhënien e dëshmisë edhe Astrit Zabërgja të cilit paraprakisht nga mbrojtësi i të dëmtuarve ja prezantoi një fotografi më qëllim që t`i identifikonte personat në foto. I akuzuari dhe mbrojtësi i tij, Labinot Buzuku e kundërshtuan këtë pyetje.

Sipas Avokatit në këtë foto shihej tashmë i akuzuari  duke ja drejtuar armën zyrtare një personi tjetër, foto e cila ishte shkrepur pak muaj para se të ndodhte ngjarja.

Dëshmitari tha se nuk arrin t`i identifikoj personat në foto dhe se këto veprime që shihen në foto janë në kundërshtim me rregullat e arta për përdorim të armëve që i kanë mësuar në Polici.

“Është në kundërshtim me rregullat që i kemi mësuar”- tha Zabërgja.

Me të filluar seanca gjyqësore, kryetari i trupit gjykues, Kushtrim Shyti ka njoftuar të pranishmit në sallë se kryetarja e gjykatës ka marrë vendim me të cilin e ka refuzuar propozimin e avokatit Besnik Berisha për përjashtim të trupit gjykues.

Kurse Berisha u deklarua se ka pas dakordim me palën e dëmtuar dhe se janë marrë vesh që mos të dërgojnë ankesë të arsyetuar.

“Pasi që kemi dalë nga salla e kemi diskutuar çështjen me palën e demtuar sërish, me udhëzimin tim këta janë takuar me kryeprokurorin edhe pak në detyrë dhe pas këtij takimi jemi dakorduar meqense është vetëm edhe një seancë e caktuar për këtë vit dhe do të procedohen vetëm dy dëshmitarë, atëherë nuk do ë paraqesim kërkesë të arsyetuar siç kërkon ligji”- u deklarua Berisha.

Berisha i cili përfaqëson palën e dëmtuar në këtë rast, seancën e datës 8 dhjetor kishte kërkuar përjashtimin e trupit gjykues.

Para se të kërkonte një gjë të tillë, atij iu kishte refuzuar kërkesa për shtyrjen e seancës, meqë prokurori i çështjes Ilaz Beqiri ishte avancuar në Prokurorinë e Apelit dhe i duhej kohë sipas tij të koordinoheshin me prokurorin i cili do të barte lëndën e prokurorit aktual Ilaz Beqiri.

Sipas dosjes së siguruar nga Kallxo.com, i akuzuari pjesëtar i Policisë së Kosovës, me akademi policore të përfunduar, i vetëdijshëm se manipulimi me armë paraqet rrezik, në prezencë të shumë personave e në ambient të mbyllur ka manipuluar me armën zyrtare e tipit Gllok e kal. 9 mm.

I akuzuari Fatlum Mehmeti ngarkohet me veprën penale të vrasjes me dashje eventuale.

Çka nënkupton dashja eventuale sipas Kodit Penal?

“Personi vepron me dashje eventuale kur është i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit ose i mosveprimit të tij dhe ai pranon shkaktimin e saj”. Dënimi sipas Kodit Penal për kryerjen e kësaj vepre penale është jo më pak se pesë (5) vjet burgim.