Vrasja e gruas në Llaushë, Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon dënim maksimal për dorasin

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka reaguar pas dyshimit që një burrë ka vrarë gruan e tij në fshatin Llaushë të Skenderajt.

Rrjeti i Grave ka kërkuar dënim maksimal për dorasin.

“Duke parë se rastet e vrasjes së grave nga burrat e tyre janë në rritje, RrGK kërkon nga institucionet që rastet e tilla të trajtohen me seriozitet të shtuar nga të gjitha organet e drejtësisë si Policia, Prokuroria dhe Gjykatat.  Ky rast vetëm se na shpërfaq e na rikujton edhe njëherë mangësitë institucionale në trajtimin e duhur të vrasjeve të grave dhe femicidit. Edhe një grua vdiq në vendin në të cilin çdo vrasje e grave shoqërohet me heshtje institucionale, me zvarritje të dënimeve dhe me dënime të ulëta. Prandaj, RrGK kërkon hetim të këtij rasti deri në provën e fundit si dhe kërkon dënim maksimal ndaj të akuzuarit.  Vrasjet e një pas njëshme tregojnë se veprimet dhe vendimet e organeve të drejtësisë nuk janë duke ndikuar në parandalimin e vrasjeve të grave dhe këto veprime e vendime vetëm sa po i motivojnë edhe më shumë dhunuesit, kurse po demotivojnë gratë dhe vajzat për të kërkuar drejtësi e për të raportuar rastet e dhunës”, thuhet në reagim.

Një grua është vrarë me armë zjarri në fshatin Llaushë të Skenderajt. Lidhur me këtë vrasje është arrestuar bashkëshorti i saj, i cili dyshohet se është dorasi.

Nga hetimet fillestare prej vendit të ngjarjes bëhet e ditur se personi i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të gruas së tij L.Q., 48-vjeçare, e cila kishte pësuar lëndime të rënda dhe nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.

Një burrë dyshohet se vrau gruan e tij në Llaushë të Skenderajt