Vrasja e shtatzënës, Sveçla: Do të merren masat ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është shprehur i tronditur me vrasjen e gruas shtatzënë mbrëmjen e së mërkurës në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë.
Përmes një shkrimi në Facebook, ministri bëri të ditur se ka kërkuar angazhim maksimal nga ana e policisë për arrestimin e të dyshuarit, Sokol Haili.
“Si të gjithë qytetarët e vendit tonë, jam tronditur nga vrasja makabre e Hamide Magashit dhe fëmijës së saj pak orë pa lindur, nga ish-bashkëshorti i saj. Nga Policia e Kosovës kam kërkuar angazhim maksimal të të gjithë zyrtarëve policorë për arrestimin e menjëhershëm dhe sjelljen para drejtësisë të kriminelit dhe vrasësit të dyfishtë, Sokol Halili”- është shprehur Sveçla.
Sipas ministrit, arrestimi dhe drejtësia janë urgjenca e këtij rasti për të cilin ka kërkuar edhe bashkëpunim nga ana e qytetarëve.
“Arrestimi dhe drejtësia janë urgjenca e këtij rasti dhe ftoj edhe qytetarët të bashkëpunojnë me policinë nëse kanë informata që mund të lehtësojnë apo përshpejtojnë këtë proces. Po ashtu, që nga momentet e para e në vazhdimësi kam kërkuar raporte të detajuara mbi rastin dhe historikun që nga informata e parë zyrtare deri në momentin e aktit makabër”- shtoi ai.
Sveçla tutje potencoi se ka kërkuar edhe përfshirjen e Inspektoratit Policor për hetimin e punës së zyrtarëve policor të përfshirë në trajtim të këtij rasti.
“Në të njëjtën kohë kam kërkuar përfshirjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti në secilën instance”- ka thënë ministri.
Ai më tej bëri të ditur se sapo të marr raportet e kërkuara, do merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës.
“Pa asnjë dilemë, sapo të pranoj zyrtarisht raportet e kërkuara, do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës. Ju siguroj që janë angazhuar të gjitha kapacitetet e nevojshme policore që sa më parë ky kriminel të arrestohet dhe të sillet para organeve të drejtësisë”- ka shtuar më tej ministri Sveçla.
Para më pak se një orë ka përfunduar autopsia e trupit të vrarë të gruas shtatzënë, në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
KALLXO.com mëson se ka qenë një komision brenda IML-së që ka punuar në obduksionin e trupit të të vrarës.Pas obduksionit trupi i të njëjtës është dërguar te familja e saj për ceremoninë e varrimit.
KALLXO.com në vazhdimësi po raporton për detaje dhe të dhëna të reja që po dalin nga rasti i vrasjes së 35 vjeçares shtatzënë.
E njëjta mbrëmjen e kaluar u vra në oborrin e QKUK-së ndërsa ishte duke qëndruar në Klinikën e Gjinekologjisë pasi ishte në prag të lindjes së një foshnje.
Deri te urdhri i mbrojtjes erdhi një rast i mëhershëm i raportuar për dhunë në familje më konkretisht në korrik të këtij viti.
Ndaj burrit të dyshuar është ngritur një aktakuzë për kanosje që lidhet edhe me dhunë në familje.
KALLXO.com raportoi se në shtator Sokol Halili ishte dënuar me gjobë prej 300 euro për armë mbajtje pa leje.
Ai dyshohet se mbante një armë me kalibër 9 milimetra prodhim turk dhe një karikator për 8 vite.
Për këtë vepër penale ai ishte penduar para gjyqtarit dhe kishte premtuar se nuk do të kryente më një vepër të tillë apo të ngjashme.
Nën këtë rrethanë lehtësuese Sokol Halili ishte dënuar me 300 euro gjobë.
I dyshuari ende është në arrati.
Përfundon autopsia, trupi i gruas së vrarë dërgohet për varrim te familja