Vrasja e 25-vjeçarit, jep dorëheqje ministri i Brendshëm i Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se e ka pranuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Dorëheqja e ministrit Lleshaj vjen pas vrasjes së 25-vjeçarit, Klodian Rasha, nga forcat policore.

Rama këtë e ka bërë të ditur përmes një adresimi me video në Facebook, i cili tha se ministri Lleshaj i kishte paraqitur atij dorëheqjen pas ngjarjes, mirëpo ai i kishte kërkuar që të mbetej në detyrë, së paku deri në kthimin e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“I kam thënë të më presë të kthehem sepse kam dashur ta shoh në sy, ta dëgjoj dhe të më dëgjojë e të jem bashkë me të në momentin e këtij hapi të rëndësishëm dhe jam shumë krenar për sensin e përgjegjshmërisë qytetare dhe kuotën morale me të cilën e mat veten dhe detyrën e tij Sandër Lleshaj. Unë e kam ditur këtë dhe të gjithë duhet të besojnë se ai nuk ka asnjë lidhje me këtë rast”, është shprehur Rama.

Ai shtoi se autori i vrasjes do të gjykohet dhe akti i tij është i pakuptueshëm dhe i paarsyeshëm.

I riu, Klodian Rasha u vra ditë më parë nga një pjesëtar i Policisë së Shtetit. Ndërsa, dje në Tiranë ka pasur protesta nga shumë qytetarë që kanë denoncuar vrasjen e tij.