Zoran Stojanoviq, kryesues i KKZ në Leposaviq dhe Selim Mehmeti zv/kryesues - 21.04.2024

Votimi "për" ose "kundër" shkarkimit të kryetarit të Leposaviqit, deklarohet kryesuesi i KKZ-së

Kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor në Komunën e Leposaviqit, Zoran Stankoviq është deklaruar në lidhje me procesin e votimit për ose kundër shkarkimit të kryetarit Lulzim Hetemi.

Stankoviq tha se deri më tani informatat janë se të gjitha qendrat e votimit janë hapur, teksa shtoi se përveç disa problemeve teknike, çdo gjë është duke shkuar sipas planit.

“Deri më tani informatat që i kemi nga menaxherët e qendrave janë hapur të gjitha qendrat e votimit. Në komunën e Leposaviqit i kemi tetë qendra të votimit. Në qendra të votimit, përveç problemeve teknike çdo gjë është duke shkuar në bazë të planit. Kemi pasë një vonesë në ardhjen e anëtarëve të këshillave në vendvotime. Komuna e Leposaviqit e ka një pozitë gjeografike me një territor shumë të madh edhe nuk kemi mundur për shkaqe teknike, por prapë kemi mundur t’i hapim [qendrat]”- ka deklaruar Stankoviq.

Ndërsa Selim Mehmeti, zëvendëskryesues, ka folur edhe për moslejmin e votimit në shkolla.

“Në shkollat në komunën e Leposaviqit e kemi pasë një inspektim me 5 prill. Pas 5 prillit me një bojkot nga Lista Serbe, nuk na u ka leju shkolla. Preteksti se përse nuk lejohen shkollat me 21 prill është se ‘i kemi disa aktivitete shkollore’”- tha Mehmeti.

Mehmeti tha se për numrin e votuesve do t’i kenë informatat në ora 11:00.

“Në bazë të reformës zgjedhore që ka ndodhur, tash kemi kamerat. Risi tjetër e kemi edhe votimin me kusht”- ka shtuar ai teksa ka folur për procesin e votimit.

Në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq sot pritet të votohet “për” apo “kundër” shkarkimit të kryetarëve të komunave.

Nga liderë institucionalë dhe faktorë ndërkombëtarë është bërë thirrje që qytetarët të dalin për të votuar, ndërkohë që Lista Serbe ka bërë thirrje për të kundërtën. Dhe, nëse ky proces dështon, atëherë iniciativë e ngjashme nuk mund të bëhet para 12 muajsh.

Ekipet e KALLXO.com do të raportojnë në kohë reale lidhur me procesin e votimit në këto katër komuna.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat në veri të vendit është 46 mijë e 556, apo 1 mijë e 461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e fundit të mbajtura më 23.04.2023.

Udhëzim Administrativ i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal i cili i ka hapur rrugë këtij procesi e përcakton që kryetari i komunës konsiderohet i larguar nga posti nëse 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të tij.

Nëse shpallet një rezultat i tillë nga KQZ-ja, atëherë presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, brenda afatit ligjor prej 30 deri në 45 ditë shpall datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, nëse konstatohet përfundimisht që iniciativa për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, apo ka dështuar për shkak të mosplotësimit të kushtit për votimin e 50%+1 të votuesve për largim e kryetarit nga funksioni, iniciativa tjetër me kërkesë të njëjtë, nuk mund të iniciohet para kalimit të afatit prej 12 muajsh.

Numri i Qendrave të Votimit në komunën e Leposaviqit është 8, në Zubin Potok 5, në Zveçan 5 dhe në Mitrovicën e Veriut 5.

Në Leposaviq janë 13 mijë e 674 votues, në Zubin Potok 6 mijë e 877 votues, në Zveçan 7 mijë e 209 votues dhe në Mitrovicën e Veriut 18 mijë e 796 votues.

Në Leposaviq nga 19 Qendra të mëhershme të votimit, për procesin e shkarkimit të kryetarëve shqiptarë aktualisht është vendosur që të votohet në 8 Qendra Votimi të tjera, në Objektin Komunal- Leposaviq, në objektin komunal Soqanicë, në një objekt privat në Rëvastakë, në një objekt shtetëror në fshatin Dren, në objektin e Nsgh univerzal në Leshak, në një objekt në Kushtovë, në një objekt privat afër stacionit të autobusëve në Leposaviq dhe në shkollën fillore “Kadri Bistrica” në Bistricë.

Në Zubin Potok do të votohet në pesë Qendra Votimi në objektin e komunës, një objekt publik në Mala Jabuka, te Ura e Bubës, Bërnjak dhe në shkollën fillore “Osman Rama”.

Në Zveçan procesi i votimit do të zhvillohet në objektin komunal Shkollën Fillore të mesme të ulët “Isa Boletini” në Zhazhë dhe shkollën tjetër në Lipë, në Banjskë dhe në objektin komunal në Zhitakovc.

Në Mitrovicën e Veriut do të votohet në shkollën fillore “Aziz Sylejmani” në Suhodoll, objektin e komunës në Lagje të Boshnjakëve, në shkollën fillore “Aziz Sylejmani” në Kodrën e Minatorëve dhe në ish- objektin komunal.