Von Cramon: Bojkoti i orkestruar nga Beogradi dhe frikësimi opozitarëve e votuesve serbë është i papranueshëm

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka reaguar në lidhje me zgjedhjet që u mbajtën dje në katër komunat me shumicë serbe në veri.

Von Cramon ka shprehur keqardhje në lidhje me mospjesëmarrjen e Listës Serbe në këto zgjedhje duke shtuar se dënon frikësimin e të gjithë atyre që kanë dashur të kandidojnë apo votojnë dje.

“Megjithatë, më vjen thellësisht keq që forca kryesore politike në veri të Kosovës, Lista Serbe, ka refuzuar të marrë pjesë në këto zgjedhje dhe dënoj fuqishëm frikësimin e të gjithë atyre që kanë dashur të kandidojnë apo votojnë të dielën” – ka shkruar Von Cramon.

Sipas saj, bojkoti i orkestruar nga qeveria serbe dhe frikësimi i liderëve opozitarë serbë janë të papranueshëm dhe bien ndesh me standardet demokratike.

“Pas një shtyrjeje të zgjedhjeve, bojkoti i orkestruar nga qeveria serbe në Beograd, si dhe frikësimi i liderëve politikë opozitarë serbë, janë të papranueshëm dhe bien ndesh me standardet demokratike. Retorika që vjen nga instancat më të larta të Serbisë ndaj zyrtarëve kosovarë është e mjerueshme dhe duhet të ndalet”- deklaroi raportuesja për Kosovën në PE.

Më tej, von Cramon tha se kthimi i përhershëm i serbëve të Kosovës në institucione duhet të lehtësohet tani e që sipas saj, “Qeveria e Kosovës duhet ta mundësojë këtë kthim”.

“Vakumi aktual institucional dhe i sigurisë duhet të zgjidhet duke u angazhuar me komunitetin lokal në veri të Kosovës. Kthimi i përhershëm i serbëve të Kosovës në institucione duhet të lehtësohet tani dhe qeveria e Kosovës duhet ta mundësojë këtë kthim. Puna për themelimin e Asociacionit së Komunave me shumicë serbe duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur”- theksoi ajo.

Von Cramon shton se BE-ja do të punojë ngushtë me të gjitha palët relevante për të rivendosur sigurinë dhe jetën normale për të gjithë qytetarët në këto komuna.

Qeveria e Kosovës ka dalë me një deklaratë pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale që u mbajtën në Mitrovicën e Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Në deklaratën e Qeverisë thuhet se në numrin e ulët të qytetarëve që kanë dalë në zgjedhje ka ndikuar frikësimi nga Beogradi.

“Fushata kërcënuese e orkestruara nga Beogradi zyrtar e ekzekutuar përmes frikësimit, presionit dhe shantazhit nga instrumentet kriminale në terren ndikuan në dalje të ulët të qytetarëve në këto zgjedhje” – thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Bashkimi Evropian thotë se zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit janë mbajtur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës dhe janë zhvilluar në mënyrë të qetë.

Dje, edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë tha se zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit janë mbajtur në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb.

Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.

Sipas të dhënave të para të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje fitoi Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviqin, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës mori Zubin Potokun dhe Zveçanin.

Këto komuna, deri nëntorin e kaluar, udhëhiqeshin nga zyrtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.