Vjosa Osmani në Gjilan: Mentalitetit plaçkitës i kanë mbetur edhe 16 ditë

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë të premten në një takim me rininë e Gjilanit është shprehur se edhe 16 ditë kanë mbetur nga dita e zgjedhjeve që ajo vlerëson që do të fitojë.

“Kanë mbetur edhe 16 ditë deri në momentin e fitores sonë. Vetëm edhe 16 ditë durim nga njerëzit që kanë vendosur në Kosovë një mentalitet plaçkitës. Ata vendosën në Kosovë kleptokracinë, vendosën në Kosovë mentalitet të të paditurve dhe të rrezikshmëve. Edhe 16 ditë atyre ju vjen fundi. Edhe 16 ditë fitorja e LDK-së do të jetë fitorja e qytetarëve të Kosovës, do të jetë në veçanti moment historik për rininë e Kosovës”, ka thënë Osmani.

Ajo shtoi se me votën e lirë të qytetarëve, më 6 tetor do t’i dërgojnë në opozitë udhëheqjen e deritanishme.

“Njerëzit që vetëm krimin dhe korrupsionin e kanë ekspertizë. Ata do të shkojnë në opozitë, jo vetëm për katër vite por në minimum 12 vjet”, ka shtuar Osmani.

Ajo i ka falënderuar të rinjtë e Gjilanit dhe gjithë Kosovës për përkrahjen që po i japin projektit të saj, që sic e quan ajo qeverisjen e Kosovës me duar të pastra.

“Në 2013 unë dhe z. Haziri ishim bashkë në garën e Gjilanit dhe natyrisht fituam. Nuk ka ndodh asnjëherë që ne dy të bëhemi bashkë dhe të mos fitojmë, kështu që edhe tani është e pashmangshme fitorja e LDK-së në zgjedhje”, ka shtuar Osmani.

Osmani po ashtu ka thënë se meritokracia do të jetë kriteri kryesor për punësimin dhe ngritjen në karrierë të të rinjve dhe jo librezat partiake.

“Rinia është në qendër të programit tonë. Gjatë qeverisjes sonë do të krijojmë shpresë për secilin prej jush, që perspektivën në Republikën e Kosovës ta gjeni pa pasur nevojë që dikujt t’i tregoni librezë partiake, pa pasur nevojë që të shfrytëzohen metoda të paligjshme e të pandershme, pa pasur nevojë të shfrytëzohen metoda të tjera përveç dijes dhe punës”, ka thënë Osmani.

Ajo kërkoi edhe ndihmën e tyre për një fitore siç e quajt ajo, madhështore.

“Me përkrahjen e rinisë do të korrim një fitore që kurrë më herët nuk e kanë dëgjuar. Është një jehonë e zërit tuaj, zërit të secilit prej jush që nuk pranoni më kurrë, që të përfaqësoheni nga njerëz që ju bëjnë të turpëruar”, shtoi Osmani.

Duke shpalosur programin për rininë ajo ka thënë se dija dhe përgatitja profesionale do të jenë kritere kryesore për perspektivën e gjeneratave të reja.

Zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Kosovës do të mbahen me 6 tetor. Deri te zgjedhjet erdhi pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit dhe shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.