Vjosa Osmani në CNN: Sulmi në Banjskë ishte akt agresioni i Serbisë për të aneksuar veriun e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se nuk kanë ende konfirmim nëse Serbia ka larguar trupat e saj nga kufiri.

Ajo u pyet lidhur me këtë nga gazetarja e CNN, Christiane Amanpour, pasi që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi në të njëjtin televizion më 30 shtator se numri i forcave serbe në terren po zvogëlohej.

“Nuk ka konfirmim ende për një gjë të tillë, jemi duke punuar shumë afër me partnerët dhe aleatët tanë trans-atlantikë për të konfirmuar atë” – tha presidentja Osmani sonte.

Sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës, presidentja Osmani e cilësoi si akt agresioni të planifikuar me qëllimin e vetëm për ta aneksuar veriun e Kosovës në stilin e Krimesë.

“Përderisa po flasim, Kosova po ballafaqohet me sfida të papara, me sfida të sigurisë që vijnë nga akti i agresionit të Serbisë që ndodhi më 24 shtator. Ishte një akt agresioni i urdhëruar nga vendimmarrësit, nga shteti i Serbisë, e i kryer nga grupet terroriste paramilitare” – u shpreh Osmani.

“Ajo që pasoi ishte shtimi i paparë i forcave ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën, jo vetëm në veri, por thuajse në të gjithë 400 kilometrat e vijës kufitare” – shtoi kryetarja e shtetit.

Sipas saj, kjo tregon që Serbia do ta vazhdojë destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, për të lejuar presidentin rus Vladimir Putin të hapë një front të ri në Ballkanin Perëndimor.

Tutje, presidentja tha se nuk do ta lejojnë që një aneksim i tillë (si të Krimesë ukrainase nga Rusia) të ndodhë dhe se është shumë e rëndësishme që ta ndalojnë këtë, duke dënuar e sanksionuar Serbinë, në të kundërtën, sipas Osmanit, ajo do të inkurajohet për të përdorur dhunën në tërë rajonin.

Presidentja tha se duan që Serbia t’ia dorëzojë Republikës së Kosovës Radoiçiqin dhe terroristët e tjerë, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend.

“Serbia nuk ka histori të mirë për vënien e drejtësisë në vend” – tha ajo.

Vjosa Osmani theksoi se nuk ka asnjë rast kur kriminelët që kanë kryer krime lufte dhe gjenocid në Kosovë dhe Bosnjë që janë vënë para drejtësisë.

Tensionet në veri të vendit janë shtuar pas një sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator, në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Në këtë sulm mbeti i vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku, ndërsa nga kundërsulmi i policisë u vranë tre pjesëtarë serbë të grupit sulmues.

Millan Radoiçiq, ka pranuar zyrtarisht me anë të një letre se ka qenë mbrapa këtij sulmi terrorist, duke thënë se “ai ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit të tij kundër pushtuesit”.

Krerët e Kosovës kanë akuzuar Serbinë dhe presidentin e saj për përfshirje direkte në këtë sulm, përderisa Serbia ka mohuar një gjë të tillë.

Ministria e Brendshme e Serbisë, sot ka njoftuar se ka ndaluar Millan Rdoiçiqin për 48 orë.