Seanca e Kuvendit më 17 shtator 2020, Foto: Kuvendi i Kosovës

Vjosa Osmani kërcënon me votë kundër të ligjit për rimëkëmbje në lexim të dytë nëse nuk konsultohet nga qeveria

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërcënuar me votë kundër në lexim të dytë të Projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike – COVID – 19.

Osmani ka akuzuar qeverinë për arrogancë dhe mungesë të përpjekjeve për të punuar së bashku me opozitën për këtë projektligj tha se nuk do ta votojë në lexim të dytë nëse nuk ulen së bashku për tu konsultuar.

“Nëse qeveria nuk bën përpjekje të ulet me opozitën për t’u konsultuar për lexim të dytë ky ligj nuk do ta ketë as përkrahjen time e as të disa deputetëve tjerë”, tha Osmani.

Osmani tha se si kryetare e Kuvednit të Kosovës në asnjë moment nuk është konsultuar e as kontaktuar nga LDK për t’u kërkuar mbështetja për një ligj kaq të rëndësishëm.

“Vetë fakti që kryeministri nuk është këtu e tregon që nuk lodhen aspak për dëmin ekonomik që iu është shkaktu vendit nga pandemia. 5 herë e kam votu këtë ligj. Ajo çka kam marrë unë si kryetare e Kuvendit janë epitetet palaço, e shkretë, e gjorë, etj”, tha Osmani.

Osmani pasi lexoi votat me të cilat kaloi ky projektligj në lexim të parë tha “Mos harroni është vetëm leximi i parë”.

Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim ka miratuar Projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike – COVID – 19.

Pas gjashtë tentimeve, votohet në parim Projektligji për “rimëkëmbjen ekonomike”