Vjosa Osmani diskuton sot me Kurtin për tarifën

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se gjatë ditës së sotme do të takohet me Kryeministrin, Albin Kurti për diskutuar në lidhje me tarifën 100 për qind ndaj produkteve serbe.

“Ne do t’i diskutojmë këto çështje sot gjatë ditës bashkë më Kryeministrin dhe pas këtyre diskutimeve do të ju informojmë”, tha Osmani gjatë një vizitë në komunën e Pejës.

Ajo tha se partnerët e koalicionit është e rëndësishme që të marrin vendime të përbashkëta.

“Është tejet me rëndësi që partnerët  e koalicionit të ulen dhe të diskutojnë detajet të marrin vendime të përbashkëta dhe natyrisht si Kuvend i Kosovës pastaj do të deklarohemi në momentin që informohemi zyrtarisht për këto vendime të përbashkëta”, ka shtuar Osmani.

Osmani ka shtuar se sheh bashkëpunim të mirë mes LDK dhe LVV si partnerë të koalicionit.

“Ajo çka është më rendësi është se unë shoh bashkëpunim shumë të mirë nga ana e partnerëve të koalicionit, shoh që të dy e kanë qëllimin e përbashkëta: ruajtja e interesit të vendit dhe ruajtja e partnerëve ndërkombëtarë”, tha Osmani.

“Jam e bindur se çdo dallim që mund të jetë rreth asaj se si mund t’i ruajmë interesat e vendit dhe partneritetit me miqtë do të zgjidhet shumë shpejtë prandaj edhe takimet që do t’i kemi gjatë ditës do të jenë në funksion të këtij dakordimi”, ka shtuar ajo.

Mbrëmë, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se kryeministri, Albin Kurti nuk është dakorduar me partnerët e koalicionit para se të vendoste kushte për tarifën ndaj Serbisë.

Dje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi se nga 15 marsi do të hiqen tarifat për lëndën e parë ndaj këtyre vendeve me kusht që të ketë hapa konkret nga Serbia për ndaljen e fushatës së çnjohjes.

Ai shpjegoi se nëse kushti plotësohet Qeveria e Kosovës do ta largojë tarifën 100 përqind plotësisht më 1 prill 2020.

Pas këtij njoftimi ka reaguar menjëherë i dërguari special i ShBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell i cili tha se nuk e pranojnë këtë gjysmë-masë.

Megjithatë, strategjinë e Kurtit e ka mbështetur BE përmes një njoftimi sot.

“Ne e mirëpresim këtë njoftim si hap të parë dhe po presim të shohim më shumë detaje.Ky hap mund të ketë efekt pozitiv në kthimin e tregtisë rajonale dhe të ofrojë mundësi për vazhdimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, të lehtësuar prej Bashkimit Evropian”, thuhet në reagim.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinja në nëntor të vitit 2018 ka vendosur një tarifë 100 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Faktori ndërkombëtar e ka kundërshtuar këtë vendim të qeverisë së kaluar.

Ky vendim ka shkaktuar edhe ndërprerjen e dialogut me Serbinë.