BQK e ulë përkohësisht tarifën e sigurimit kufitar për mërgimtarët

Banka Qendrore e Kosovës ka marrë vendim që të ulë përkohësisht tarifën e sigurimit kufitar të auto-përgjegjësisë.

Në mbledhjen e sotme të bordit ekzekutiv të BQK-së është marrë vendim për të ulur përkohësisht këtë tarifë.

“Ky vendim i marrë nga menaxhmenti i BQK-së ka ardhë pas shqyrtimit të raportit aktuaril të datës 16 korrik 2020 të Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe raportit aktuarial të BQK-së mbi adekuatshmërinë e tarifave të sigurimit kufitar nga autopërgjegjësia dhe është vlerësuar se ekziston bazë e mjaftueshme për ndryshimin e tarifave të primeve të sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë për automjete dhe motoçikleta për udhëtarë”, thuhet në komunikatën e BQK-së.

BQK ka kërkuar nga Byroja Kosovare e Sigurimeve që të ulë përkohësisht këtë tarifë për 35%.

“Poashtu me anë të këtij vendimi kërkohet që aplikimi i tarifave të reja të policave kufitare të zbatohet nga data 1 gusht 2020 deri më 31 dhjetor 2020”, thuhet në komunikatë.