Dorëzimi i vizës së fundit nga ambasadori gjerman, Jorn Rohde. Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Viza e fundit turistike nga ambasada e Gjermanisë në Kosovë i jepet një zyrtari policor

Sot është dhënë viza e fundit turistike për qytetarët e Kosovës nga Ambasada Gjermane.

Në këtë rast, kjo ambasadë organizoi një ceremoni për dhënien e vizës së fundit.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ishte ai që dorëzoi vizën turistike për Bujar Rrustemin, zyrtar policor.

“Në rrethana të zakonshme nuk e kemi festuar asnjëherë dhënien e vizave, mirëpo me rastin tuaj do të duhej” – tha ambasadori.

Ai tutje tha se mendon që do te duhej liberalizimi i vizave për Kosovë të bëhej më herët.

“Unë jam ambasadori që në intervista ka thënë që do të jetë ambasadori i fundit gjetman që do të merret me liberalizimin dhe më vie mirë që e kam mbajtur këtë premtim” – shtoi tutje Rohde.

Dorëzimi i vizës së fundit nga ambasadori gjerman, Jorn Rohde. Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Në një bisedë me Rrustemin, ambasadori i interesua për qytetin e personalitet prej nga vjen polici. 

“Ju jeni nga Vushtrria, nga aty vjen edhe Milot Rashica apo?” – pyeti ai. 

Teksa Rrustemi tregoi se po e njeh atë, i tregoi për planet që ai i ka për vizitën e tij në Gjermani.

Kosovarët këtë vit dhuratën e fundvitit do e marrin në një kohë më të pazakontë – një ditë pas festës së Vitit të Ri.

Pikërisht 1 janari përkon me datën në të cilën do të hyjë në fuqi vendimi për lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës, pas më shumë se një dekadë zvarritje nëpër ambasada me një krah letra, për t’u pajisur me një vizë për të cilën në fund ekzistojnë gjasat të refuzohet.

Për 12 vite, kosovarët pritën e grumbulluan një mori dokumentesh për të aplikuar për një vizë. Çmimi i një vize në Kosovë varet nga ambasada, dhe kushtoi diku në mes të 35 deri 80 euro, pa përfshirë shpenzimet e agjencive për aplikime, sigurimi shëndetësor, rezervimi i hotelit, dokumentet komunale.

Kosovarët kanë shpenzuar mbi 89 milionë euro për viza gjatë viteve 2016-2021, diku rreth 165 euro për aplikim, sipas raportit të Grupit për Ballkan. Përderisa në njërën anë qytetarët janë munduar e kanë shpenzuar për viza, në anën tjetër është zvarritur procesi në nivel më të lartë.

Saga për lëvizjen e lirë, çka duhet ditur kosovarët nga 1 janari? – VIDEO