Foto: Spitalii Ferizajt

Virusi tashmë i takon të kaluarës për 82 persona të shëruar në Ferizaj

Nga 98 të infektuarit në komunën e Ferizaj, 82 rezultojnë të shëruar, ka konfirmuar Drejtori i Spitalit në këtë komunë, Jeton Zeqiri.

“82 janë të shëruar”, tha ai për KALLXO.com.

Pacienti konsiderohet i shëruar në rast se dy ritestimet del negativ.

Ndërsa, sot në këtë komunë është ritestuar vetëm një person, rezultati i të cilit pritet të dalë sonte, tha drejtori.

Gjithashtu, sot për herë të parë janë testuar edhe tetë persona nga personeli shëndetësor të cilët kanë qenë të vetizoluar.

“Sot ka qenë vetëm një ritestim dhe tetë testime të reja, këto testime të reja janë punëtorë shëndetësorë që kanë qenë në vetizolim”, tregoi ai.

Zeqiri tha se nesër do të bëhet ritestimi edhe për një person.

“Nesër është vetëm një ritestim i dytë, dhe nëse del negativë shpallet i shëruar”, u shpreh Zeqiri.

Sipas tij, në këto dy javë vlerësohet situata me COVID-19.

Zeqiri ka një mesazh për të gjithë qytetarët e Ferizajt. Ai apelon që të respektohen të gjitha masat e parapara për të parandaluar përhapjen e këtij virusi.

“Stili jonë i jetës tashmë është distanca, pastërtia dhe maska”, shprehet ai.

“Bëj apel te qytetarët të mbajnë distancë, të vendosin maskën dhe të mbajnë higjenën. Ne duhet të mësohemi të jetojmë me virusin” , tha drejtori.

Numri i ritestimeve dhe i personave të shëruar edhe në nivel vendi ka filluar të rritet dukshëm, deri më tani 533 janë të shëruar nga 860 sa janë të infektuar, ndërsa 27 të tjerë tashmë janë të vdekur.

Sipas Klinikës Infektive, të gjithë personat e vdekur nga pandemia kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.