VIDEO - Rrahja e rëndë në Fushë Krujë, arrestohen 8 persona, 6 të tjerë ende në kërkim

Tetë persona janë arrestuar nga Policia e Shtetit nën dyshimin se kanë goditur me mjete të forta e kanë kërcënuar me armë zjarri dy persona në Fushë Krujë.

Lidhur me rastin, gjashtë persona tjerë janë në kërkim të Policisë.

Sipas Policisë, ngjarja e rëndë të ndodhur në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë – Thumanë, ku një grup personash kanë goditur me sende të forta dhe kërcënuar me armë shtetasit Bilbil Maja dhe Jashar Maja.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia ka organizuar operacionin për kontrollin e ambienteve dhe vendeve ku mund të mund të fshiheshin personat e shpallur në kërkim.

Sipas Policisë, gjatë operacionit u kontrolluan 20 banesa, biznese dhe ambiente të ndryshme në pronësi të shtetasve të shpallur në kërkim Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja, dhe Rexhep Rraja, dhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Ndërsa, në njoftim thuhet se gjatë këtij operacioni u bë shoqërimi në ambientet e Policisë i 4 shtetasve, L. Rr., D. Rr., H. Rr., dhe A. Rr., lidhje të afërta fisnore dhe shoqërore të shtetasve të shpallur në kërkim.

“Në vazhdim të veprimeve hetimore dhe këqyrjes së pamjeve filmike u identifikuan dhe dy persona të tjerë të përfshirë të cilët u shpallën në kërkim, konkretisht shtetasit Edison Meta, 27-vjeç dhe Përparim Rraja, 48-vjeç” – thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Në lidhje me këtë ngjarje, më datën 07.07.2023 u ndaluan katër persona për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

“Policia e Shtetit i bën thirrje shtetasve Xhelal Rraja dhe Rexhep Rraja, si organizatorë të kësaj ngjarje të rëndë kriminale për tu dorëzuar sa më parë në Policinë e Shtetit së bashku me personat e tjerë të shpallur në kërkim pasi çdo orë që kalon rëndon akoma më shumë pozitën e tyre penale”- thuhet në njoftim.