Policia Speciale e Kosovës - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Pejë, arrestohen 4 të dyshuar, u gjenden armë e kanabis deri në 3 metra të larta

Pas hetimeve më shumë se dymujore, Policia e Kosovës, gjegjësisht Njësiti i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN)-Pejë, ka realizuar sot në rajonin e Pejës operacion e koduar me emrin “Mali”, ku cak ishte identifikimi dhe shkatërrimi i plantacioneve të mbjella me kanabis.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë realizimit të operacionit policor janë gjetur dhe konfiskuar 216 bimë të llojit Kanabis Sativa të madhësisë nga 2.50 deri 3 metra, të cilat pas marrjes së mostrave janë shkulur dhe djegur në vendngjarje nga forcat e rendit.

Bimët dyshohet se janë kultivuar nga të dyshuarit tanimë të arrestuar: B.H. viti i lindjes 1976, E.K. (1993), I.Sh. (1982), dhe M.K. (1968), të gjithë të gjinisë mashkullore.

Po ashtu, gjatë bastisjes në shtëpitë e katër personave të dyshuar janë gjetur dhe sekuestruar provat e tjera si në vijim: dy telefona, një revole TT me 7 fishekë, një USB, dy tabela të veturës të ndryshme, një revole e llojit Zoraki dhe pesë fishekë, një pushkë njëzetëshe me pesë fishekë, një telefon i vogël Nokia.

Të dyshuarve pas intervistimit me urdhër të prokurorit u është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh për procedura të mëtejme ligjore.