VIDEO: Mitrovicasi kërkon t’i kthehet pensioni i invalidit civil të Luftës së Dytë Botërore

Musa Haxhiu nga Mitrovica po kërkon rikthimin e pensionit që sipas tij i takon.

Haxhiu në vitin 1959 ishte lënduar nga një mjet shpërthyes.

“Halli jem është që unë jam plagos në vitin 1959. Kam qenë t’u ardhë nga shkolla dhe tre fëmijë kanë qenë tuj lujtë me një gjësend jo më të madh se një cigare. Unë jam afru e kam marrë edhe më ka pëlcitur në dorë. Synin e djathtë dhe tre gishta të dorës së majtë i kam humbur”, rrëfen ai për KALLXO.com.

80-vjeçari nga viti 1974 e deri më 1998 kishte marrë pensionin e invalidit civil të Luftës Nacionalçlirimtare.

Por, që nga përfundimi i luftës së fundit (1998-1999) ai nuk e ka marrë më pensionin.

Në vitin 1974 e kam bërë kërkesën në Kuvendin Komunal të Mitrovicës për statusin e invalidit civil të luftës edhe e fitova, e kam marrë deri në vitin 1998 por që pas luftës së fundit na kanë ndërprerë”, tregon ai.

Haxhiu ka paditur Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për mosvazhdimin e pagesës së pensionit.

Padia e tij është refuzuar nga Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit.

“Gjykata e shkallës së parë vendosi që të refuzojë kërkesë-padinë e paditësit me arsyetimin se gjykata nuk ka gjetur bazë ligjore që e obligon të paditurën të marrë përsipër njohjen e kësaj të drejte dhe kompensimin e këtij pensioni… Gjykata ka konstatuar se për çështjen e parashtruesit të kërkesës është jokompetente për të vendosur për faktin se vazhdimësinë e këtij pensioni invalidor e paditura nuk e ka përfshirë në  fushë-veprimtarinë e saj”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së shkallës së parë.

Kërkesa e vetme e Musa Haxhiut është vazhdimi i pensionit të invalidit civil.

“Kërkesa ime është jo me ma njoftë të drejtën se unë e kam të njoftun të drejtën por që e kam bërë kërkesën me ma vazhdu pagesën prej asaj datës që ma kanë ndalë e ata ma kanë refuzu që nuk bon me ma vazhdu”, shton ai.

Nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë thënë për KALLXO.com se nuk kanë dosje apo kërkesë në emër të Musa Haxhiut.

Ky i fundit kishte bërë ankesë edhe tek Avokati i Popullit.

80-vjeçari thotë së çështjen do ta dërgojë edhe në Gjykatën e Strasburgut.