FOTO: KALLXO.com

Ndalja e pensionit invalidor ia vështirëson jetën familjes nga Rrenci i Dragashit

Në viset malore të fshatit Rrenc të Dragashit jeton M.S. me gruan dhe vajzën e tij e cila vijon mësimin në shkollën fillore.

Mirëpo, kjo familje tash e sa kohë jetojnë në kushte të rënda ekonomike, për shkak se M.S. momentalisht është i papunë gjersa gruaja e tij, A.S., sipas raporteve mjekësore ka vite që është e diagnostifikuar me sëmundjen skleroza multiple dhe të vetmet të ardhura për këtë familje momentalisht janë përmes pensionit invalidor për personat Paraplegjik dhe Tetraplegjik të Grupi të Parë që e merr A.S.

M.S në rrëfimin e saj për KALLXO.com thotë se sëmundja e bashkëshortes së tij ka kosto dhe është e kushtueshme në të gjitha aspektet.

“Bashkëshortja ime vuan nga një sëmundje tash e 10 vite, nga një sëmundje kronike e quajtur ‘multipla skleroza’, është sëmundje me status invalidor, domethënë të parikuperueshëm që me një fjalë unë si infermier e di se nuk ka shërim kjo sëmundje. Domethënë ka kosto, është e kushtueshme në të gjitha aspektet”- ka shpejguar M.S për KALLXO.com.

Sipas tij, nga muaji tetor kjo familje do të fillojë të përballet me një brengë edhe më të madhe pasi që prej këtij muaji bashkëshortja e tij, A.S.,  nuk do ta marrë pensionin invalidor.

“Nga muaji tetor më kërcënohet jo vetëm buka e gojës, por më kërcënohet edhe gjendja shëndetësore e bashkëshortes nga 15 tetori, e cila do të zgjasë nga 15 tetori deri në muajin janar, 15 janar deri më 15 shkurt, varion. Besoj unë ashtu se duhet të jetë, që do të jem me kushte ekonomike zero. Në vise malore jetojmë, rruga total bllokohet dimrit. Me një person me aftësi të kufizuara, jetën veç unë e di qysh e funksionoj”- ka thënë ai për KALLXO.com

Sipas M.S., arsyeja për këtë do të jetë për shkak se bashkëshortes së tij duhet t’i bëhet rivlerësimi i gjendjes së saj shëndetësore, vlerësim ky që bëhet nga komisioni mjekësor në Prizren. Mirëpo, M.S. ka thënë se krijimi i komisionit që e bën këtë vlerësim mund të marrë kohë disa muaj.

“Përfundon afati ligjor i vendimit pesë vjeçar. Domethënë në momentin që përfundon vendimi, automatikisht sistemi e nxjerr prej pagesave, prej pensionit të cilin e gëzon. Pastaj duhet të paraqitet në komisionin mjekësor në Prizren i cili zgjatë deri sa të formohet komisioni, mund të zgjatë katër deri në pesë muaj e më shumë. Kjo është brenga më e madhe që 4-5 muaj, pikërisht në dimër do ta kem shumë të vështirë për gjendjen shëndetësore së pari, nuk po flas për kushtet ekonomike, për çështjen e bukës së gojës, etj”.

Sipas M.S një gjë e tillë ka ndodhur edhe në të kaluarën ku deri në krijimin e komisionit dhe kryerjen e vlerësimit pensioni invalidor i gruas së tij është ndalur për disa muaj gjersa paratë më pas janë kompensuar në mënyrë retroaktive.

Mirëpo sipas tij, kushtet aktuale nëpër të cilat po kalon kjo familje do t’ua pamundësojnë atyre që deri në procesin e rivlerësimit të jetojnë pa pensionin invalidor të bashkëshortes së tij A.S., pasi që deri atëherë kjo familje do të mbetet pa të ardhura financiare.

Në lidhje me këtë rast KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave, Punëve dhe Transfereve për të marrë një konfirmim dhe informata shtesë lidhur me ndërprerjen e pensionit invalidor dhe procedurat për krijimin e komisionit që vlerëson gjendjen shëndetësore të bashkëshortes së M.S.

Burim Hoda, zyrtar i bazës së të dhënave në Departamentin e Pensioneve të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve ka konfirmuar për KALLXO.com se A.S. ka marrë pension invalidor deri në muajin shtator të këtij viti.

“A.S ka marrë pension deri ne muajin 09/2022. Këtë muaj është ndal në rivlerësim (Tetor 2022). Duhet të thirret në komision në mënyrë që të hyjë në pagesë për muajin tetor. Thirrja për komision bëhet nga zyret rajonale, në këtë rast Zyra e Pensioneve në Prizren. E drejta ka qenë e fituar nga data 09.10.2017 për 5 vite, me shumë mujore prej 375 euro skema Personat Paraplegjik dhe Tetraplegjik”- ka bërë të ditur Hoda për KALLXO.com.

Në anën tjetër, Skender Asllani, zëvendësues i Drejtorit në Departamentin e Pensioneve në Ministrinë e Finacave, Punës dhe Transfereve ka thënë për KALLXO.com se komisionet janë të krijuara, por një ndër shkaqet për prolongimin e proceseve është vëllimi i madh i lëndëve për personat që duhet të shkojnë në rivlerësim.

“Komisionet janë të krijuara, janë aktive por ka lëndë shumë. Ka vëllim të madh të lëndëve. Kështu që, do të thotë që ka gjasë që prolongohet procesi, por jo edhe katër muaj. Ka situata kur edhe i thërrasim palët edhe palët nuk e hapin telefonin, nuk janë qe besa në Kosovë, kemi shumë situata nga më të ndryshmet…”- është përgjigjur Asllani.

Ai ka thënë se e ka informuar drejtorin e Zyrës së Pensioneve në Prizren, Elmi Rrafshin për rastin e A.S.

“Unë i’a kam bartur drejtorit të Zyrës së Pensioneve në Prizren, emrin, mbiemrin, të dhënat. Kam kërkuar prej tij që mundësisht me procedu me këtë rast, procedurë pak më të shpejtë, në rastin e parë kur kanë seanca mjekësore. Ai e ka marrë këtë informacion dhe ka thënë ‘po do të veprojmë’, na e ka konfirmu, vetëm kish me qenë mirë që ajo e nderuara me e pasë telefonin aktiv se kemi ne raste plot që bëjmë përpjekje me i kontaktu, por me keqardhje telefonat nuk i kanë aktivë, kështu që na ngelen për në seancat e ardhshme”- ka thënë ai.

Ndërkaq, Elmi Rrafshi, Drejtor i Zyrës së Pensioneve në Prizren në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com ka thënë se në komisionin e parë të radhës, A.S. do të ftohet për rivlerësim.

“A.S. do të ftohet për rivlerësim në komisionin e parë të radhës”- është përgjigjur Rrafshi.

Vetëm një javë pas kësaj përgjigjje Elmi Rrafshi e ka konfimuar për KALLXO.com se A.S. është ftuar në komisionin për rivlerësim që pritet të mbahet të mërkurën.

“Të mërkurën në ora 11 e kemi ftuar për rivlerësim në komision mjekësor”- ka konfirmuar ai për  KALLXO.com.