VIDEO - 'Maskat' të armatosur ia vënë zjarrin makinerisë brenda gurores

Këto janë pamje të filmuara nga kamerat e sigurisë. Aty shihen disa persona derisa gjuajnë me armë në drejtim të një punëtori në guroren ‘DT MINING SH.P.K’ e cila gjendet në Shalë të Lipjanit.

Kamerat e sigurisë kanë filmuar këta persona të dyshuar, të armatosur derisa gjuajnë me armë dhe i vënë zjarrin një eskavatori.

Ngjarja sipas pronarit të “DT MINING SH.P.K”, Xhafer Gjota ka ndodhur më datën 6 qershor 2021 dhe sipas tij kjo nuk është hera e parë që persona të dyshuar ia kanë vënë zjarrin makinerisë së tij.

“Persona ende të panjohur me maska kanë hy në punishten tonë në gurore në Shalë të Lipjanit, ku kanë shtënë me armë, ia kanë vënë flakën një ekskavatori, por fatmirësisht sigurimi ka arrit me fikë zjarrin, ku kanë shtënë edhe në drejtim të sigurimit këtu që ka qenë këtu në gurore”, ka thënë Gjota.

Gjota ka treguar se edhe më parë persona të dyshuar e kanë kërcënuar dhe penguar në punën e tij, përkundër që ai thotë se i posedon të gjitha lejet për ushtrimin e veprimtarisë në guroren e tij.

Por, Gjota ka treguar se asnjë rast deri më tani nuk është zbardhur nga organet e rendit.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka intervistuar disa persona të dyshuar për këtë rast.

“Ndërlidhur me rastet e denoncuara, janë kryer dy operacione bastisjeje si dhe janë intervistuar disa persona në cilësi të ndryshme (të dyshuar, dëshmitarë) dhe të njëjtit janë proceduar më tej sipas rekomandimeve të Prokurorit të shtetit”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Tutje, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rasti është duke u trajtuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Prokurorinë, por deri në momentin e publikimit nuk ka marr përgjigje.