VIDEO: Ikja e Komunës së Drenasit nga problemet e 30 familjeve

Janë rreth 30 familje në një banesë kolektive në qytetin e Drenasit që vazhdojnë të ankohen për gjendjen e mjerueshme që e trashëgojnë që një dekadë.

Shkallë të lëvizshme dhe të dëmtuara, ujëra të zeza që kanë mbushur bodrumet, e deri tek pjesët e kulmit që rrezikojnë të bien, janë rreziqet me të cilët banorët e kësaj ndërtese përballen çdo ditë.

Banori Muharrem Gerguri thotë se që nga viti 2010 punët mbetën pa u kryer ndonëse u dhanë mijëra euro nga buxheti komunal i Drenasit.

Muharrem Gërguri – Qytetar i Drenasi, Foto: KALLXO.com

“Më 125 mijë euro kanë tentu me ndreq bllokun me kanalizim, me ujë, me krejt. Edhe tash kur ka ardhë fundi i punës, kanë mbetë shkallët pa u ndreq. Ka mbetë kanalizimi, derdhen në bodrum poshtë. Kanë mbetë shkallët e thyme, veç dy pjesë të katit i kena ndreqë na me buxhet tonin”, thotë ai.

Banori tjetër, Hamdi Berisha, thotë se në kohë zgjedhjesh Ramiz Lladrovci u kishte premtuar banorëve të këtij blloku se do t’ua rregullojë këtë çështje.

Hamdi Berisha – Qytetar i Drenasit, Foto:KALLXO.com

“Gjendja është katastrofë. krejt uji e ka marrë, mbeturinat krejt në bodrum bijnë, se nuk ka kanalizim, kur ka ardh Ramizi ka thanë veç jepna votat, se do ta rregulloj me shkallë, me krejt. Kemi shku disa herë por nuk m’ka pranu se e ka ditë që sa tek. Krejt me qito erëra po rrina, 31 anëtarë të familjeve janë qitu”, thotë ai.

Ai thotë se kanë bërë disa herë ankesa por kanë hasur në vesh të shurdhër.

“Është që 20 vjet, ka hi në vesh të shurdhër, kush nuk ka marrë masa. Kemi pasë ankesa, kurrë s’e kanë kthy veç e kanë refuzu, nuk ka mjete, ju duheni vetë”, tha Berisha.

Në anën tjetër, nga Komuna që udhëhiqet nga Ramiz Lladrovci kanë thënë se përderisa objekti banesor nuk ka leje të përdorimit, përkatësisht certifikatë të përdorimit të lëshuar nga Komuna, nuk jenë përgjegjës dhe nuk mund të ndërmarrin asgjë.

“Ndërtimi i këtij objekti ka filluar gjatë viteve 87/88, dhe është punuar deri në vitin 1991 ku janë përfunduar vetëm punët e vrazhda.  Pas luftës, banorët janë vendosur pa certifikatë të përdorimit nga Komuna. Ne nuk mund ndërmarrim veprime për shkak të arsyeve të cekura me lartë. Ky objekt nuk është nën menaxhim të Komunës, e dëshmon kontrata e lidhur mes KEK-ut dhe palës”, thuhet në përgjigjen elektronike të Komunës së Drenasit.

Në vitin 2010, Komuna e Drenasit kishte shpërblyer një kompani nga Skenderaj me një tender rreth 100 mijë euro për renovimin e këtij objekti, por banorët ishin ankuar edhe asokohe se gjendja e keqe vazhdonte pasi kompania s’i kishte kryer punët siç duhet.

Shkallët e objektit në Drenas, Foto:KALLXO.com
Kanalizimi jashtë objektit banësor në Drenas, Foto:KALLXO.com