Renovimi Që Komuna e Quan të Kryer

Komuna e Drenasit, më 27 gusht 2010, e kishte shpërblyer kompaninë “Kalaja” nga Skenderaj  me një tender prej 74,584 eurosh për renovimin e objektit banesor “Blloku 8”, llamella C, në Drenas, ku jetojnë 30 familje.

Objekti gjendet mu përballë ndërtesës së komunës në Drenas, por banorët ankohen se ai vazhdon të jetë në gjendje të keqe pasi kompania nuk kishte kryer punët e parapara me kontratë.

Sipas kontratës, “Kalaja” e Fejzullah dhe Berat Lushtakut është dashur të fasadonte bllokun së jashtmi, të fasadonte përbrenda korridorin me stiropor duke mbuluar kabllot elektrike, të bënte nivelizimin me stiropor “Estrich” prej 3 cm në patos të korridoreve, të bënte riparimin e kulmit duke vendosur dërrasa izoluese dhe duke larguar shtyllat ekzistuese prej hekuri, betonimin dhe ngjeshjen me vibrator të shkallëve, plastifikimin e dritareve të korridorit (me material Trokall), pastrimin dhe dezinfektimin komplet të shkallëve etj.

Gati tre muaj e gjysmë më vonë, më 7 dhjetor 2010, drejtori i Departamentit të Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit, inxhinieri i ndërtimtarisë Ajet Demiri, bën një raport në lidhje me punën e kompanisë ku shkruan se punimet “kanë filluar sipas dinamikës së paraparë” dhe se ato “janë kryer në masën 90 për qind” siç ishte paraparë në kontratë.

Por, shkruante ai, gjatë realizimit janë paraqitur edhe nevoja shtesë për përfundimin e kontratës.

Si rrjedhojë, kompanisë pas dy javësh, më 23 dhjetor 2010, i jepet një kontratë shtesë për këtë bllok, në vlerën e 6,900 eurove, me të cilën kompania obligohej të merrej me gërryerje të fasadës, furnizim me material dhe rregullim të dëmtimeve në fasadë, rregullimin e kulmit, pastrimin e terrenit nga mbeturinat etj.

Kompanisë po ashtu, i ishte dhënë kontratë në vlerë 20,925 euro për fasadim të objektit 1, rregullim të kulmit si dhe pastrim të terrenit nga mbeturinat.

Mirëpo, përkundër se Drejtoria e Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit kishte raportuar 90 për qind të plotësimit të punëve dhe i kishte dhënë firmës “Kalaja” kontratë shtesë, banorët ankohen se punët nuk ishin kryer.

Fillimisht një peticion i menduar për Drejtorinë e Hetimeve Ekonomike dhe Korrupsion të Policisë së Kosovës dhe EULEX-in ishte nënshkruar nga 15 përfaqësues të familjeve të bllokut 8, më 26 shtator 2011.

Banorët specifikonin punët e pakryera. Në peticionin që e ka gazeta, banorët thoshin se përveç fasadimit të jashtëm, gjendja “në pjesën e brendshme të objektit është edhe më keq se ka qenë”. (shih dokumentin)

Zëdhënësi Blerim Krasniqi i tha Gazetës Jeta në Kosovë se “në parim EULEX-i nuk konfirmon apo mohon nëse ndonjë individ, kompani ose institucion është nen hetime”, ndërsa Policia e Kosovës, Drejtoria Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion , thotë se nuk është duke zhvilluar hetime lidhur me këtë çështje.

Banorët thonë se puna nuk është kryer mirë.

Hamdi Berisha, banor, thotë se shkallët e objektit janë mjaft të rrezikshme. “Ato lëvizin dhe tash në kohën e dimrit bëhen akull”, thotë ai.

Berisha tregon se vajza e tij ka rrëshqitur dhe e ka thyer këmbën në këto shkallë. “Më e keqja ka mundur të ndodhë nëse ajo do të binte një kat më poshtë, për shkak të mungesës së gilinderave”.

Rrahim Morina, një banor tjetër, shqetësohet nga kabllot e rrymës të cilat janë të shtrira përgjatë korridoreve. “Sidomos kutitë shpërndarëse janë në gjendje katastrofale”, tha ai.

Në fotot e realizuara nga Gazeta Jeta në Kosovë shihet se disa pjesë të kontratës nuk janë zbatuar:

 
Me kontratë parashihej rregullimi i kulmit dhe zëvendësimi i shtyllave prej teneqeje me dërrasa izoluese e të shtohej llamarinë. Ky kulm nuk është prekur në realitet.  

 

 
Me kontratë parashihej që të bëhet furnizimi me material dhe nivelizimi me Estrih në korridor. Prapë, kjo nuk është bërë.  

 

 
Duhej të bëhej furnizimi me material, betonimi dhe ngjeshja me vibrator e shkallëve.  

 

 
Me kontratë, duhej bërë mbulimi i këtyre kabllove elektrike.  

 

 
Dritaret janë me shtylla të hekurit dhe xhama të thjeshtë jo-rezistuesë. Është dashur të plastifikoheshin me materialin trokall.  

 

 
Hyrja e këtij bodurimi është mbyllur duke mos u pastruar dhe dezinfektuar siç parashihej  ne kontratë.  

 

 
Fasada e amortizuar ka filluar të bjerë, si shkak i lagështisë, edhe në pjesën e jashtme.  

Pronari i kompanisë “Kajala”, Fejzullah Lushtaku, i tha gazetës “se është shumë i zënë për tu marrë me këtë”, kur është kontaktuar për tu pyetur se përse kompania nuk kishte zbatuar kontratën me komunën.

Në muajin shtator, kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku, kishte thënë për preportr.com se komuna do të marrë të gjitha masat konform përgjegjësive të saj “nëse vërtetohen parregullsi”.

“Nëse zyrtarët komunalë e kanë pranuar punën pa u kryer, do të japin përgjegjësi dhe do të largohen nga puna”, kishte thënë Demaku.

Katër muaj më vonë, Demaku thotë se verifikimi është bërë. “Punimet janë kryer”, i tha ai Gazetës Jeta në Kosovë.

Megjithatë, në ndërtesë gjendja mbetet e njëjtë.

Edhe Ajet Demiri vazhdon të kryej punën si Drejtor i Drejtoratit për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit.

Demiri thotë se me kontratë ishte paraparë vetëm fasadimi i jashtë i ndërtesës dhe jo edhe renovimi i brendshëm, ndonëse dokumentet shpërfaqin se kompania duhej të bënte një numër punësh tjera përveç fasadimit nga ana e jashmte.

Komuna, shton ai, nuk ka mjete që tua plotësojë të gjitha kërkesat këtyre banorëve.

“I gjithë ky publicitet që është bërë rreth bllokut 8, është i pa nevojshëm”, thotë Demiri. “Unë nuk e di se çka kërkojnë më ata njerëz, fasadimin e jashtëm të ndërtesës ua kemi bërë gjithashtu edhe korridoret”.