Pamje nga momenti i arrestimi të dyshuarit për ngacmimi seksual ndaj të miturës, FOTO; Dukagjini

VIDEO - Dyshohet se e sulmoi seksualisht 6-vjeçaren, qytetarët përballen me të dyshuarin

Portali Dukagjini ka siguruar pamje nga përballja e qytetarëve me një person që dyshohet se sulmoi seksualisht një të miture 6-vjeçare. Ngjarja ka ndodhur në Prishtinë, të mërkurën e 27 korrikut.

Vetëm të mërkurën e 27 korrikut të vitit 2022, janë raportuar tri raste të sulmeve seksuale ndaj të miturve. Prishtina, Obiliqi dhe Mitrovica, janë vendet ku dyshohen të kenë ndodhur ngjarjet.

Për njërin nga këto raste, i ndodhur në kryeqytet, Portali Dukagjini ka siguruar dëshmi, derisa dëshmitarët (një nga të cilët – nëna e viktimës), konfrontohen me të dyshuarin.

Siç është mësuar nga burimet e portalit, personi i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur (6-vjeçare), është mbi 50 vjeç.

Sipas burimeve, dy dëshmitarë, teksa kanë hyrë spontanisht në dyqanin e të dyshuarit, e kanë parë atë derisa abuzonte seksualisht me të miturën.

Me të parë atë veprim, dëshmitari fillimisht e ka pyetur “çka e ke këtë vajzë?”, duke iu referuar viktimës, kurse i dyshuari i është përgjigjur se është vajza e tij.

Dëshmitarët të cilët po ashtu janë banorë të së njëjtës lagje, janë larguar nga dyqani për t’u kthyer përsëri pas pak minutash.

Por, kësaj radhe, i dyshuari gënjen sërish.

Ai pohon se është gjyshi i viktimës 6-vjeçare.

Të njëjtit e marrin vajzën, e cila sipas tyre dukej e frikësuar dhe po dridhej.

E dërgojnë te familja e saj, për t’ia treguar tërë ngjarjen prindërve.

E shokuar nga rasti, nëna e viktimës së bashku me dy dëshmitarët e rastit, shkojnë të përballen me të dyshuarin në dyqanin e tij./Dukagjini

Kjo është video e publikuar nga Rtv Dukagjini: