Skandaloze: Biseda ku Drejtori i Trepçës e largoi prodhuesin vendor “për pikë të qejfit”  

Sonte në Televizionin Dukagjini u transmetua reportazhi nga KALLXO.com për largimin nga ndërmarrja Trepça të një prodhuesi vendor të prodhimit të peletit i cili për disa vite ishte duke funksionuar ne objektet e ndërmarrjes me qira.

Në një takim të zhvilluar në mes të Elbasan Maliqit dhe Besim Haxhiut ne zyrat e Trepçës, ky i fundit ia bën me dije Maliqit se duhet larguar nga objektet e ndërmarrjes .

“Dyshime po se kemi një raport këtu neve na u ka bo njëfarë dëmi në vlerën 15 mijë euro, qe bre burrë nëse tu ka bo merak Besim Haxhiu  ka vendos me të qit shkurt veç unë fikall vetëm pa kërkonin hiç unë dua me të qit veç për qejf shoku jem qe veç që po kam qejf. Mbasi po ma lyp një arsye atëherë po të tregoj se po te qes për pikë të qejfit s’po dua me të pa këtu”,  dëgjohet gjatë një bisede duke i thënë Besim Haxhiu drejtori i administratës në ndërmarrjen Trepçës, Elbasan Maliqit një prodhuesi vendor të peletit i cili ka operuar me qira në objektet e ndërmarrjes Trepça në Mitrovicë.

Besim Haxhiu ka mohuar gjithçka kur u kontaktua nga KALLXO.com lidhur me pretendimet e Maliqit.

“Unë nuk jam përgjegjës për këtë se është zyra e shitjes  dhe ka qenë kryeshefi tjetër që e ka nënshkruar, unë jam drejtor i administratës gjithkush e ka detyrën edhe përgjegjësin e vete, ato janë pretendime tij edhe shantazhimet e tij”, tha ai.

Elbasan Maliqi, pronar i kompanisë “ELFA”, thekson se ne takim iu kërkua të largohet nga Trepça.

“Me Besimin në ora 09:00 kemi shkuar unë dhe menaxheri aty ka qenë Besimi dhe ka qenë një jurist në tavolinën përballë edhe e pyes i them “Besim çka ka ndodh” thotë “ka ndodh hajnia edhe po dyshojnë në punëtoret e tu”. Unë i thash se në telefon më the ka ndodh prej tyre, ai më tha nuk është me rendësi, por me rendësi është që ti mbas 15 ditëve nuk je në Trepçë”, theksoi Maliqi.