Kallxo fiton rastin ndaj Bordit të RTK-së në Këshillin e Mediave
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e bërë nga Bordi i RTK-së ndaj Kallxo.com.
Bordi i RTK-së kishte bërë ankesë ndaj një shkrimi që ka publikuar Kallxo.com më 1 maj të këtij viti, e kjo ankesë u hodh poshtë si e pabazuar nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 30 maj 2023.
Ankesa kishte të bënte rreth shkrimit të një komunikate të Sindikatës së Pavarur të RTK-së e cila ishte bërë në Ditën Ndërkombëtare të Punës, përmes të cilës ishin shprehur shqetësimet e kësaj sindikate kundrejt të drejtave të punëtorëve të RTK-së.
“Në ditën e PUNËTORIT 1 MAJIN punëtorët e RTK-së pa paga, ndërsa Bordi dhe Menaxhmenti gjejnë kohë dhe financa për të qëndruar disa ditë në njërin prej hoteleve luksoze të Bjeshkëve të Rugovës. Paga nga RTK për shumicën e punëtorëve është burim i vetëm i të hyrave financiare dhe është shqetësuese që askush nga drejtuesit e RTK-së nuk flet se pse ato ende nuk janë ekzekutuar. Për Sindikatën do të jetë e papranueshme që punëtorëve të RTK-së të vazhdohet t’iu shkelen të drejtat elementare të punës si mungesa e kushteve të punës, duke filluar prej karrigeve e deri te hapësira për punë, padrejtësitë në avancime, degradimet me motive hakmarrëse…” – thuhej në këtë komunikatë, që ishte pjesë e shkrimit të ankimuar.
Ndaj këtij publikimi, Bordi i RTK-së kishte paraqitur ankesë në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës, me pretendimet se ky shkrim shkel parimin e raportimit të së vërtetës dhe të drejtën për t’u përgjigjur.
Këto pretendime i ka hedhur poshtë Këshilli i Mediave, duke i konsideruar të pabazuara me vendimin e saj të marrë më 7 qershor të këtij viti.
Në arsyetimin e këtij vendimi, lidhur me pretendimin e bordit për raportimin jo të drejtë, thuhet se shkrimi i Kallxo.com ka ofruar dëshmi (video) se është mbajtur aktivitet (punëtori) jashtë Prishtinës.
Kurse për pretendimet e mos-dhënies së mundësisë për t’u përgjigjur, Këshilli thotë se Kallxo.com nuk ka bërë shkelje, ngase vetëm ka publikuar komunikatën e Sindikatës në fjalë.
Këshilli vendosi që ankesa e bërë të mos miratohet, si rrjedhojë publikimi i Kallxo.com i lartpërmendur nuk përbënte shkeljet e pretenduara nga Bordi i RTK-së.
Kallxo.com i është drejtuar me shkrim kryesuesit të Bordit të RTK-së z. Besnik Boletini, lidhur me vendimin në fjalë, ku i njejti në përgjigjen e dhënë ka theksuar se ankesa është adresuar duke u bazuar në frymën që ankesa të tilla i kontribuojnë profesionalizmit dhe objektivitetit në gazetari.
“Aty (në KMSHK) është mirë të dërgojnë ankesa edhe qytetarët kur mendojnë që ndonjë medium nuk ka raportuar siç duhet konform kodit dhe ne duhet t’i inkurajojmë” – thuhet tutje në përgjigjen e përmbledhur prej tij.
Drejtori i RTK-së Shkumbin Ahmetxhekaj dhe ish ud/zëvendësi i tij Arsim Halili, e kishin humbur betejën në Këshillin e Mediave të Shkruara (KMShK) edhe në tetor të vitit të kaluar, në ankesat me të cilat ata pretendonin se 12 mediume shkelën Kodin e Etikës kur raportuan për veprimet hetimore të prokurorisë në një rast ndaj drejtuesve të RTK-së.
Sindikata e Pavarur e RTK-së e kishte raportuar Ahmetxhekajn me pretendimin se ai kishte bërë ndërhyrje në drejtësi, sepse pak ditë pasi ishte caktuar në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të RTK-së e kishte tërhequr padinë e RTK-së ndaj Arsim Halilin në Gjykatën e Apelit dhe pastaj e kishte emëruar Halilin UD/zëvendësdrejtor.
Ankesën e Ahmetxhekajt, KALLXO e kishte konsideruar si ankesë të llojit SLAPP, që ka për synim frikësimin e mediave në raportimet e tyre profesionale mbi zhvillimet e një procesi hetimor të hapur në një institucion publik e të pavarur siç është Agjencia Kundër Korrupsionit e Prokuroria Speciale.
Përpos ndaj KALLXO.com, Ahmetxhekaj kishte ushtruar ankesë edhe ndaj të gjitha mediave të tjera që e kanë raportuar komunikatën e Sindikatës së Pavarur të RTK-së.
Një veprim të tillë KALLXO e ka konsideruar si tendencë për frikësim të të gjitha mediave, me qëllimin që në të ardhmen mediat të frikësohen e të mos raportojnë fare për këtë proces dhe të mos e qesin RTK-në në hije të keqe.
SLAPP apo Paditë Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike, janë rastet kur individët me pushtet/zyrtarët publik, apo bizneset e mëdha, synojnë që t’i detyrojnë të heshtin gazetarët/aktivistët duke i frikësuar përmes ankesave dhe ngritjes së padive.
(Shënim në paragrafin e dytë është edituar data 3 maj me 30 maj, pasi ka qenë një gabim teknik – Koha e editimit 22:22 – datë 02:07:2023)