Drejtuesit e RTK-së humbin betejën me 12 mediume online 

Drejtori i RTK-së Shkumbin Ahmetxhekaj dhe ish ud/zëvendësi i tij Arsim Halili, e kanë humbur betejën në Këshillin e Mediave të Shkruara (KMShK), në ankesat me të cilat ata pretendonin se 12 mediume shkelën Kodin e Etikës kur raportuan për veprimet hetimore të prokurorisë në një rast ndaj drejtuesve të RTK-së.

Me votat e të gjithë anëtarëve prezent, KMShK ka vendosur se ankesa e dy drejtuesve të RTK-së është e pabazuar, ndërsa raportimet e mediave në këtë rast ishin profesionale dhe përmbanin raportim të saktë dhe të paanshëm.

Më 18 korrik 2022, Shkumbin Ahmetxhekaj, Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës, dhe Arsim Halili, ish UD/Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i RTK-së, ishin ankuar te KMSHK ndaj raportimeve se Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), kishte përcjellë në prokurori rastin në të cilin përfshihej Ahmetxhekaj dhe Halili.

Më 13 korrik mediumet publikuan njoftimin e Sindikatës së Pavarur të RTK-së (SPRTK) në të cilin ishte transmetuar një vendim i Agjencisë Kundër Korrupsion, në të cilin ndër të tjera thuhej se rasti ndaj Ahmetxhekajt dhe Halilit ishte mbyllur në AKK, pasi dosja ishte duke u hetuar nga një njësi e policisë me autorizimet e Prokurorisë Speciale.

Njoftimi saktësonte se Prokuroria Speciale ishte duke ndërmarrë veprime në këtë rast.

SPRTK kishte ngritur një rast në AKK ku kërkonte të trajtoheshin vendimet e Ahmetxhekajt për tërheqjen e një padie të RTK-së ndaj Arsim Halilit.

Lajmi është raportuar në mediat online, ndërsa dy drejtuesit e RTK-së ngritën pretendime se ky lajm ishte i pavërtetë dhe nuk i respektonte standardet etike.

Sindikata e Pavarur e RTK-së e kishte raportuar Ahmetxhekajn me pretendimin se ai kishte bërë ndërhyrje në drejtësi, sepse pak ditë pasi ishte caktuar në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të RTK-së e kishte tërhequr padinë e RTK-së ndaj Arsim Halilit në Gjykatën e Apelit dhe pastaj e kishte emëruar Halilin UD/zëvendësdrejtor.

“Me këtë ndërhyrje ai i kishte shkaktuar RTK-së dëm financiar në vlerë prej 21 mijë euro, mjete të cilat do të shkonin në llogarinë e Arsim Halilit. Përveç dëmit financiar, me ndërhyrjen në Gjykatë z. Ahmetxhekaj e kishte pastruar dosjen e Arsim Halilit e cila ishte pengesë për ta emëruar atë në postin e ud. Zv/drejtorit gjeneral. Menjëherë pas eliminimit të kësaj pengese ai e emëron z. Halili ud.zv/drejtor gjeneral”- thuhej në komunikatën e kësaj Sindikate.

Në korrik Sindikata kishte pranuar një letër nga Agjencioni Kundër Korrupsion. Në letër shkruhej se dosja ishte bartur në Prokurorinë Speciale.

Ky informacionin ishte publikuar në KALLXO dhe në mediumet e tjera më 13 korrik 2022.

Ahmetxhekaj e Halili ishin ankuar ndaj këtyre artikujve me pretendimet se nuk janë të vërteta dhe për ta argumentuar këtë Halili kishte ofruar edhe një certifikatë se nuk është nën hetime.

Për ta bërë këtë informatë edhe më të saktë, në ndërkohë Prokuroria Speciale ia kishte konfirmuar Kallxo.com-it se ajo ishte duke e trajtuar rastin e Ahmetxhekajt dhe Halilit.

Me ta marrë ankesën e Ahmetxhekajt nga KMShK, Kallxo kishte përpiluar letër 7 faqëshe duke i deponuar provat në të cilat bazohej artikulli i Kallxo dhe duke dëshmuar se ishin respektuar të gjitha pikat e Kodit të Etikës të Mediave të Shkruara. Provat e deponuara ishin përgjigjja e Prokurorisë Speciale dhe letra që AKK i kishte dërguar Sindikatës së Pavarur të RTK-së.

Përveç kësaj, KALLXO në përgjigjen në ankesë kishte vënë në pah faktin se ankuesit/drejtori dhe ish zv/drejtori i RTK-së kishin tentuar t’i vënë në lajthitje anëtarët e KMShK-së duke pretenduar që KALLXO e kishte titulluar artikullin me një titull që në fakt nuk ishte përdorur.

Ankuesit kishin pretenduar që KALLXO.com ka publikuar artikullin me titull: “Prokuroria Speciale ka nisur hetim ndaj drejtorit të Përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj dhe UD zëvendësdrejtorit, Arsim Halili”. Por, titulli i vërtetë i artikullit të publikuar në KALLXO.com është: “Agjencia Kundër Korrupsion: Rasti i drejtorit dhe zv/drejtorit të RTK-së është përcjellë në Prokurorinë Speciale”.

Sipas Kallxo, të bërit ankesë duke e deformuar titullin ishte e qëllimshme.

“Prandaj konsiderojmë se një tendencë e tillë për t’i atribuuar KALLXO.com një titull që nuk është publikuar nga KALLXO me pretendime të falsifikuara e me qëllimin për të vënë në lajthitje KMShK-në është jo profesionale dhe e qëllimshme”- thuhet në përgjigjen e KALLXO-së për KMShK.

Sikur kjo të mos ketë mjaftuar, krerët e RTK-së pretendonin se AKK ka thënë që rasti i tyre ishte mbyllur dhe si i tillë s’ka hetime, pra sipas tyre KALLXO.com nuk po raportonte saktë. Por, KALLXO argumentoi te KMSHK që përgjigja e AKK-së thoshte se AKK e konsideronte të mbyllur rastin për shkak se me të po merrej një organ shumë më i specializuar për hetime se sa AKK, e ajo ishte Prokuroria Speciale që merret me raste të profilit të lartë.

Në përgjigjen në ankesë, KALLXO kishte treguar faktin se Agjencia Kundër Korrupsion nuk e ka mbyllur hetimin paraprak për faktin se nuk ka pasur prova por të njëjtin e ka mbyllur për faktin se rasti veçse ka qenë duke u trajtuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe në këtë rast Agjencia Kundër Korrupsionit nuk mund të kryejë hetim paralel me Prokurorinë Speciale, andaj si rezultat ka vendosur që të mbyllë hetimin, dhe dosjen e ka bartur në këtë prokurori për hetim të mëtejmë.

Në përgjigje argumentohet se, sa i përket pretendimit të dytë të krerëve të RTK-së se KALLXO ka shkelur edhe të drejtën e palëve për t`u përgjigjur, KALLXO e kishte telefonuar Shkumbin Ahmetxhekajn para publikimit të artikullit për të marrë një koment, e më pas i kishte dërguar edhe e-mail. Mirëpo përkundër kohës së mjaftueshme në dispozicion për t`u përgjigjur, prej asaj dite e deri më sot, Ahmetxhekaj nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për t`u përgjigjur në këtë artikull dhe kjo është evidentuar edhe në shkrimin e kontestuar. Gjë për të cilën, KALLXO kishte argumentuar se e kishte përmbushur edhe këtë obligim dhe edhe në këtë rast, sipas Kodit të KMShK-së, e drejta për t`u përgjigjur nuk ishte shkelur.

E edhe pse KALLXO e kishte kontaktuar Ahmetxhekajn për të marrë përgjigje, duhet të ceket që për raste të raportimeve të tilla si kjo, e drejta për t`u përgjigjur nuk kërkohet sipas rregullativës së KMShK-së. Kjo për faktin se Agjencioni Kundër Korrupsionit është institucion shtetëror, dokumentet e të cilit janë dokumente të cilat transmetojnë një vendimmarrje të një institucionit publik. Raportimi për dokumente të tilla nuk kërkon medoemos kontaktimin e anës tjetër për shkak se vendimmarrja ka ardhur pas një raporti hetimor dhe procesi vendimmarrës. Veprimet e AKK-së në këtë rast janë procedurale dhe komentimi i tyre nuk ndryshon gjendjen në terren.

Ankesën e Ahmetxhekajt, KALLXO e ka konsideruar si ankesë të llojit SLAPP, që ka për synim frikësimin e mediave në raportimet e tyre profesionale mbi zhvillimet e një procesi hetimor të hapur në një institucion publik e të pavarur siç është Agjencia Kundër Korrupsionit e Prokuroria Speciale.

Përpos ndaj KALLXO.com, Ahmetxhekaj ka ushtruar ankesë edhe ndaj të gjitha mediave të tjera që e kanë raportuar komunikatën e Sindikatës së Pavarur të RTK-së. Një veprim të tillë KALLXO e ka konsideruar si tendencë për frikësim të të gjitha mediave, me qëllimin që në të ardhmen mediat të frikësohen e të mos raportojnë fare për këtë proces dhe të mos e qesin RTK-në në hije të keqe.

SLAPP apo Paditë Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike, janë rastet kur individët me pushtet/zyrtarët publik, apo bizneset e mëdha, synojnë që t’i detyrojnë të heshtin gazetarët/aktivistët duke i frikësuar përmes ankesave dhe ngritjes së padive.

KMShK në mbledhjen e datës 21 shtator 2022, pasi që shqyrtoi ankesën e ushtruar nga Shkumbin Ahmetxhekaj dhe Arsim Halili – kundër KALLXO dhe mediave të tjera, vendosi që ankesën ta refuzoj si të pa bazuar.

Sipas KMShK, KALLXO me publikimin e artikullit “Agjencia Kundër Korrupsion: Rasti i drejtorit dhe zv/drejtorit të RTK-së është përcjellë në Prokurorinë Speciale”, nuk ka shkelur Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës.

“KMShK pas leximit të ankesës dhe shkrimeve të mediave, për të cilat është paraqitur ankesa, gjeti se mediat nuk kanë shkelë kapitullin II të Kodit të Mediave që ka të bëjë me raportimin e së vërtetës, pasi që mediat kanë publikuar një dokument publik dhe deklaratën e sindikatës së ankuesit”- thuhet në vendimin e KMShK-së.

KMShK në vendim i përgjigjet pretendimit të ankuesit se paraqitja e dëshmisë/vërtetimit se nuk është subjekt hetimi, nuk nënkupton se ndaj të njëjtit nuk janë duke u ndërmarrë veprime hetimore.

“Cetifikata që një person nuk është nën hetime evidenton vetëm personat ndaj të cilëve është nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve. Në rastin konkret, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) nuk e ka mbyllur hetimin paraprak për faktin se nuk ka pasur prova, por për shkak se rasti veçse ka qenë duke u trajtuar në Prokurorinë Speciale. AKK thotë se rasti është mbyllur pasi ka hetim nga Prokuroria Speciale”- thuhet në vendimin e KMShK-së.

Edhe lidhur me pikën dy të ankesës, për të drejtën për t`u përgjigjur, KMShK ka konstatuar se KALLXO ka respektuar edhe këtë parim, pasi që ankuesit i ka dërguar pyetje dhe i ka dhënë mundësinë e përgjigjes.

“Në lidhje me ankesën për të drejtën për përgjigje, mediat i janë referuar dokumenteve publike mbi të cilat e kanë ndërtuar raportimin. Kallxo.com i ka dërguar pyetje ankuesit, por nuk ka marrë përgjigje”- thuhet në vendimin e KMShK-së.

KMShK është organ vet-rregullativ në të cilin bëjnë pjesë mbi 50 media të shkruara dhe vendimet merren me votat e anëtarësisë që marrin pjesë në mbledhje të Këshillit. Përderisa vendimet e KMSHK-së nuk janë ligjërisht të obligueshme, ato kanë shumë peshë në rast se palët vendosin të ngrisin padi për shpifje në Gjykatë.

Këtu mund të gjendet përgjigjja e plotë e KALLXO.com kundrejt ankesës së drejtorit dhe zv/drejtorit të RTK-së drejtuar KMShK-së dhe vendimi i KMShK-së.

Përgjigja e KALLXO.com në ankesën e RTK-së

Vendim i KMShK në ankesën e RTK-së