Foto: Ministria e Punëve të Brendshme

Sveçla: Policia e angazhuar seriozisht në sjelljen para drejtësisë të të dyshuarve për krime lufte

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Policia e Kosovës është e angazhuar seriozisht në sjelljen para drejtësisë të të dyshuarve që kryen krime lufte.

Sveçla këtë deklaratë e tha në takimin e mbajtur më 27.02.2024 me drejtorin ekzekutiv të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi. 

MPB ka bërë të ditur që Sveçla e njoftoi Hetemin mbi angazhimin serioz dhe të suksesshëm të Policisë së Kosovës në sjelljen e të dyshuarve për krime lufte para drejtësisë dhe theksoi përkushtimin për bashkëpunim të ngushtë mes dy institucioneve.

“Bashkëpunimi ndërinstitucional e veçanërisht mes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë kontribuon në evidentimin e të gjitha dëshmive të krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë dhe ndihmon në sjelljen e të gjithë kryesve para drejtësisë”- thuhet në komunikatën e MPB-së.

Në 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2024 u dorëzuan dokumentet e para në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Në këtë ceremoni iu bë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me këtë institut dhe të dërgojnë aty të gjitha fotografitë, incizimet dhe materialet që mund të dëshmojnë krimet e luftës.

Kuvendi i Kosovës në korrik të vitit 2023 miratoi Ligjin për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës së Kosovës.

Ky ligj i përbërë prej gjithsej katërmbëdhjetë neneve është përpiluar me qëllim të themelimit të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë i cili do të jetë risi për shtetin.

Duke pasur parasysh se gjeneza e problemit të një situate të tillë mund të jenë ngecjet në fazën e hetimeve, ligji në fjalë ka potencial që të japë një shtysë shumë të madhe ndaj hetimit të suksesshëm të krimeve të kryera gjatë luftës.

Dokumentimin e krimeve të luftës ky institut do ta bëjë nga aspekti historik, ushtarak, ekonomik, juridik, ekologjik, kulturor, mjeko–ligjor dhe sociologjik dhe do të krijojë fondin arkivor si dhe përgatitjen e të dhënave statistikore.

Lidhur me këtë do të bëjë grumbullimin e të dhënave të sakta për humbjen e njerëzve, dëmet fizike, emocionale si dhe pronësore e kulturore.